Lajme
DOKUMENT | Presioni publik bën që ministria e Rozeta Hajdarit ta anulojë një tender të dëmshëm që parashihte paga 100 mijë euro të dy ekspertëve për afër 100 ditë
Demokracia
09:27 | 15 Dhjetor 2023

Share:

Vetëm një ditë pasi doli lajmi se një ekspert po paguhet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë rreth 1000 euro në ditë, kjo ministri e ka anuluar një tender tjetër krejt të ngjashëm, i cili parashihte zhvatjen e parasë publike për 100 mijë euro, shkruan Demokracia.com.

Rreth 100 mijë euro ishin bërë gati përsëri nga ministrja Rozeta Hajdari që të paguante një ekspert ndërkombëtar dhe disa qindra euro në ditë, po ashtu, një ekspert tjetër vendor.

MINT-i e ka anuluar sot tenderin “Angazhimi i një eksperti vendor për finalizimin e Strategjisë Kombëtare për Investime (Politika Kombëtare për Investime) dhe Planit të Veprimit me Kostim’’. Ky tender ishte hapur më 24 nëntor dhe po bëhej gati që të finalizohej këtyre ditëve. Por, vetëm një ditë pas presionit publik, MINT e ka anuluar atë.

Në këtë kontratë ishte paraparë të angazhohej në lot I, një ekspert ndërkombëtar për 85 dite pune ku për të ishin ndarë hiç më pak se 75 mijë euro. Dhe, po ashtu, ishte paraparë punësimi i një eksperti vendor për angazhim 100 ditë punë, veçse ky më pagë më të “dobët” në një vlerë prej 25 mijë euro, përcjell Demokracia.com.

Ministria e ka anuluar në tërësi procedurën e prokurimit, më arsyetimin se për lot 2 nuk ka marrë asnjë ofertë. Por, në këtë rast, MINT është dashur të bëjë vetëm anulimin për lot 1 dhe jo për lotin tjetër, meqë se ka pasur një ofertë. Mbetet të shihet nëse garuesi do të ushtrojë ankesë, meqë arsyetimi për anulimin e krejt aktivitetit të prokurimit ka qenë i paqëndrueshëm, sepse bëhet fjalë për dy kontrata dhe bazuar në ‘dosjen e tenderit’ të publikuar nga MINT në KRPP, konsulenti do të shpërblehet vetëm me një lot.

Gjatë ditës së djeshme, T7 ka raportuar se dy ekspertë po marrin nga 1 mijë euro në ditë veç e veç nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila udhëhiqet nga Rozeta Hajdari. Këta dy ekspertë të punësuar nga MINT do të punojnë për 20 ditë dhe do t’iu ndahen hiç më pak se 20 mijë euro.

Shoqëria civile ka reaguar fuqishëm pas këtij lajmi, duke konsideruar se pagesat ishin shumë të lartë në proporcion më punën që do të kryhet, por dhe më vetë buxhetin e varfër të Republikës së Kosovës. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme