Lajme
DOKUMENT | Presidenca ndau 15 mijë euro për Federatën e Xhudos për ta promovuar mirëqenien e grave
Demokracia
19:09 | 17 Prill 2024

Share:

Policia e Kosovës e kishte shpallur në kërkim xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për dhunë në familje. Ndërsa, Federata e Xhudos e Kosovës njoftoi më vonë se xhudisti ndodhej jashtë vendit dhe do të “dorëzohet sapo të kthehet”. Më pas kështu edhe ndodhi, shkruan Demokracia.com.

Megjithatë, pakënaqësi nxiti reagimi i Federatës së Xhudos, ku e paragjykoi fajësinë e Gjakovës duke thënë se “besojmë në pafajësinë e Akilit dhe urojmë që organet e rendit të drejtësisë sa më parë të zbardhin rastin. Andaj ftojmë mediat të tregojnë maturi në trajtimin e këtij rasti dhe të ndalojnë njollosjen dhe gjykimin publik të një nga figurave që vazhdon të promovojë imazhin pozitiv të vendit tonë”.

Ndonëse dhuna që dyshohet se është shkaktuar nga xhudisti ishte konfirmuar ditë më parë, shpallja e tij në kërkim erdhi në një kohë kur Kosova është tronditur nga rastet e dhunës në familje, pas vrasjes së dy grave në pesë ditët e fundit.

Ndërkohë, Presidenca e Kosovës e ka shpallur ditë zie ditën e sotme në kujtim të grave dhe vajzave të vrara si rezultat i dhunës në baza gjinore.

Por, pikërisht para disa muajve, Zyra e Presidentes i kishte dhënë subvencione Federatës së Xhudos së Kosovës për promovimin e barazisë gjinore.

Bazuar në të dhënat e një dokumenti të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, shihet se Federata e Xhudos së Kosovës është subvencionuar më 15 mijë euro për “Fuqizimi i komuniteteve përmes xhudos: Mirëqenia e grave dhe gjithë përfshirja për njerëz me nevoja të veçanta”. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme