Lajme
DOKUMENT | Posta e Kosovës nuk tregon pse lidhi kontratë me negocim me kompaninë serbe me bazë në Beograd
Demokracia
15:35 | 30 Mars 2024

Share:

Ndërmarrja Publike “Posta e Kosovës”, e cila është nën autoritetin e Qeverisë së Kosovës, ka përdorur procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë për të lidhur kontratë njëburimore me një kompani nga kryeqyteti i Serbisë, Beogradi, shkruan Demokracia.com.

Bëhet fjalë për tenderin “Mirëmbajtja e shtypësit të Postes Hibride dhe blerjen (furnizimin) me pjesë këmbimi (rezervë) shpenzuese për shtypësin Xeikon 5000plus – Ritender”. Prokurimi i ndërmarrjes publike i ka zhvilluar negociatat vetëm me kompaninë “NVM GRAPHIC SOLUTIONS D.o.o. BRANCH IN KOSOVO Dega në Kosovë”.

Demokracia.com ka raportuar se bazuar në të dhënat e ARBK-së, pronar me 100 për qind të aksioneve në këtë ndërmarrje, e cila ka degët në Kosovë dhe Kroaci, është kompania me bazë në Beograd “Nvm graphic solutions d.o.o”. Bazuar në të dhënat e ARBK-së, drejtor menaxhues i kompanisë është Marko Durovic.

Këtë të premte, Demokracia.com ka kërkuar një përgjigje nga Posta e Kosovës lidhur me atë se “Cila është arsyeja që nuk keni realizuar tender të hapur, por me negocim me një kompani me bazë në Beograd për tenderin “Mirëmbajtja e shtypësit të Postes Hibride dhe blerjen (furnizimin) me pjesë këmbimi (rezervë) shpenzuese për shtypësin Xeikon 5000plus – Ritender”?

Kjo ndërmarrje publike nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Jo zyrtarisht, një zyrtar i lartë në Postën e Kosovës ka thënë për Demokracia.com se kanë qenë të detyruar ta lidhin këtë kontratë me kompaninë serbe, pasi sipas tij tenderi i vlerës së hapur u ka dështuar një herë. “Fillimisht e kemi hapur një tender, por ai është anuluar pasi nuk ka garuar askush. Pastaj kemi parë se kjo kompani, e cila e ka bazën edhe në Kosovë ofron këso produktesh të furnizimit dhe servisimit që po këkrojmë për postën hibride në Fushë Kosovë”.

I pyetur nëse ka kompani tjera në rajon apo edhe në Kosovë me pronarë shqiptarë që ofrojnë këso shërbimesh, ky zyrtar ka thënë që këtë gjë nuk e di.

Kompania “NVM GRAPHIC SOLUTIONS D.o.o” i ka dy pronarë me nga 50 për qind të aksioneve, Marko Gjuroviq, i cili figuron në ARBK si drejtor menaxhues dhe Vojislav Erbes.

Tenderi peshon gjithsej 83 mijë euro. Prokurimi i Postës ka lënë devijim të çmimit + – 30 për qind nga vlera indikative e kontratës, çka do të thotë se kontrata mund të rritet edhe për 30 për qind.

“Posta e Kosovës SH.A. shpërblen me kontratë: “NVM GRAPHIC SOLUTIONS” D.O.O.BRANCH IN KOSOVO”, për një shumë prej: 83,019.30€ (tetëdhjetë e tre mijë e nëntëmbëdhjetë euro e tridhjetë cent“, thuhet në vendimin për dhënie të kontratës së Postës së Kosovës, përcjell Demokracia.com.

Tenderi ka qenë në dy lote dhe të dyja i janë dhënë kësaj kompanie.

Pjesa 1 – Mirëmbajtja dhe servisimi i shtypësit Xeikon 5000+ dhe

Pjesa 2 – Blerja (furnizimi) me pjesë këmbimi (rezervë) shpenzuese për shtypësin Xeikon 5000+.

Kontrata ka validitet 24 muaj. /Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme