Lajme
DOKUMENT | Podujeva blen mëshqerra nga kompania që u raportua se po mashtron me origjinën e mishit në Shqipëri
Demokracia
15:55 | 02 Prill 2024

Share:

Një skandal ka plasur së fundmi në Shqipëri. Pretendohet se një kompani nga Kosova po shet atje mish Brazili në emër të mishit të freskët nga Kosova. Demokracia.com ka gjetur se Komuna e Podujevës e ka shpërblyer në javën e kaluar me një kontratë kompaninë e njëjtë.

Emisioni hulumtues “Top Story”, i cili transmetohet në RTV Klan, ka publikuar një storie televizive në të cilën pretendohet se mishi me origjinë nga Brazili importohet nga Kosova nga kompania “Apetit shpk”. Më pas në etiketë shkruhet se është mish i freskët nga Kosova. E gjithë kjo, sipas mediumit në Shqipëri është ndihmuar nga shteti i Kosovës, konkretisht nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, shkruan Demokracia.com.

Nga ana tjetër, në javën e kaluar, komuna që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes, e ka shpërblyer me tender kompaninë “Apetiti” Shpk.

Bëhet fjalë për tenderin “Furnizim me mëshqerra”.

Në garë kanë qenë dy kompani: “Apetiti” me ofertë 413,925 euro dhe “Riki Invest” me ofertë 415,492 euro. Por, ka fituar oferta e kompanisë së parë, pasi kriter kryesor ka qenë “çmimi më i lirë”, raporton Demokracia.com.

Komuna po synon që nga kompania e lartpërmendur të blejë mëshqerra.

Në dosje të tenderit është shkruar se mëshqerrat duhet të jenë të racës ” (kuq e bardh), me veti të kombinuara (qumësht – mish) dhe të ardhura nga importi (BE).

Mbetet të shihet se nga cili vend i BE-së janë blerë këto kafshë.

Në njoftimin për kontratë, vlera e parashikuar për këtë tender ka qenë 385,714 euro në total.

 

270.000.00 euro nga buxheti i komunës

115.714.00 euro nga bashkëfinancimi 30%. Por, siç shihet, kompania e shpërblyer ka pasur ofertë 30 mijë euro më të lartë sesa vlera e kontratës. Në këtë rast, kaq para do të detyrohet të marrë nga projektet tjera që të destinojë në këtë projekt Komuna e Podujevës.

Para pak ditësh një institucion publik e ka anuluar krejt një tender me arsyetimin se ofertuesit kanë tejkaluar vlerën e parashikuar të kontratës, ani pse ofertat kanë qenë të përgjegjshme. Kjo pasi Ligji i Prokurimit rekomandon që në raste të tilla të anulohet aktiviteti i prokurimit.

Artikulli i plotë i publikuar në Top Story

“Shkrije 24 orë para e s’kuptohet”, mishi i Brazilit shitet si mish i freskët Kosove

Çështja që trajtojmë sot është një skandal i përmasave të frikshme, pasi ka të bëjë me ushqimin e të gjithëve ne. Mishi me origjinë nga Brazili, importohet nga Kosova nga kompania “Apetit shpk”. Më pas në etiketë shkruhet, se është mish i freskët nga Kosova. Sipas burimeve tona vetëm për vitin 2023 në Shqipëri janë importuar rreth 600 mijë kg mish nga kompanitë shqiptare nga kompania “Apetit shpk”. Dekani i Fakultetit të Bioteknologjisë ne UBT,Kapllan Sulaj na shpjegon, sesi funksionon industria e mishit, siguria ushqimore sipas standardeve të BE-së dhe karakteristikat, që identifikojnë mishin e freskët nga mishi i ngrirë me origjinë nga Brazili. Ne u informuam, se në Shkozet të Durrësit, një biznes në emër të Ilir Gjonit, shet mish të ngrirë brazilian, që hyn nga Kosova përmes “Apetit shpk”.Ky tregtar na tregon si ta shkrijmë mishin 24 orë përpara dhe ta servirim si mish të freskët Kosovë. Me kamera të fshehtë, morëm rolin e biznesmenit të hotelerisë dhe porositëm 1 ton mish nga “Apetit shpk” në Kosovë. Por dokumentet u bënë sikur 1 ton mish fileto vici ishte mish i freskët nga Kosova, i therur në janar 2024. “Apetit” me ndihmën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë me inspektor Qenan Maxhuni bënë të mundur falsifikimin e origjinës së mishit nga Brazili në Kosovë.

Stop/ Një ton mish Brazili hyn nga Morina si i therur në Kosovë në janar

Tre ditë, pasi porositëm 1 ton mish nga Kosova tek “Apetit shpk”, sasia e filetos së vicit erdhi në Tiranë përmes pikës doganore të Morinës, duke i kaluar të gjitha kontrollet e vulave veterinare të therjes apo edhe falsifikimi i origjinës së mishit. “Apetit shpk” kishte falsifikuar edhe çmimin, për të mos paguar detyrimet në baze të çmimit real prej 15 eurosh për 1 kg mish fileto vici. Për këtë skandal ne shkuam në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, ku zëdhënësi për mediat, pasi u njoh me problemin, tha, se do të nisë një hetim nga ky institucion në bashkëpunim edhe me institucione të tjera ligjzbatuese për dënimin e këtij fenomeni, që dëmton konsumatorin dhe ekonominë.

VIDEO nga minuta e 9-të

Të ngjashme