Lajme
DOKUMENT| Pije e ushqim pa para, Përparim Rama favorizon veten dhe vartësit e tij për bufenë e komunës
Demokracia
14:04 | 06 Dhjetor 2022

Share:

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë një vendim të çuditshëm që është në favor të tij, nënkryetarëve, drejtorëve dhe kryesuesit të Kuvendit të Prishtinës. Të gjithë këta do të mund të marrin pije e ushqim nga bufeja sa të duan vetë.

Në bufen e Komunës së Prishtinës që vetë e drejton, Përparim Rama do të mund të hajë e pijë sa të dëshiron.

Vendimin për favorizim të vetvetes e ka marr vetë ai.

Në vendimin e datës 25.11.2022, që e ka siguruar Demokracia.com, thuhet se lejohet shfrytëzimi i shërbimeve nga bufeja në objektin e vjetër të komunës dhe në objektin e ri në Arbëri, nga pozicioni “para e gatshme”.

E shfrytëzues të bufesë më para të gatshme do të jetë vetëm hierarkia më e lartë e komunës.

“Shfrytëzues të shërbimeve të bufesë janë: Kryetari i Komunës; nënkryetarët e Komunës; kryesuesi i Kuvendit të Komunës; drejtorët e drejtorive; Udhëheqësit e sektorëve të kabinetit të kryetarit dhe të drejtorive”, thuhet në këtë vendim, përcjell Demokracia.com.

Tutje në këtë vendim tregohet se Kryetari i Komunës, Nënkryetarët dhe Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, nuk kanë shumë të caktuar të parave që do t’i shfrytëzojnë në bufe.

“Shuma e mjeteve që do të ndahet sipas pikës II të këtij Vendimi është: Kryetari i Komunës, shumë të pacaktuar; nënkryetarët e Komunës, shumë të pacaktuar; kryesuesi i Kuvendit të Komunës, shumë të pacaktuar”.

Kurse, drejtorët e drejtorive i kanë në dispozicion nga 100 euro dhe udhëheqësit e sektorëve të kabinetit të kryetarit dhe të drejtorive i kanë për bufe nga 30 euro. Këto para do të jepen nga Drejtoria e Financave.

“Drejtorët e drejtorive, 100 euro. Udhëheqësit e sektorëve të kabinetit të Kryetarit dhe të drejtorive, 30 euro. Për zbatimin e këtij Vendimi do të kujdeset Drejtoria e Financave. Me hyrjen në fuqi të këtij Vendimi, shfuqizohet Vendimi me nr. 14-030/ 01-0280949/19 e dt. 14.11.2019. Vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit të tij”.

Siç ka bërë me dije Komuna e Prishtinës, ky vendim është marrë në mbështetje të neneve 13 dhe 58 të Ligjit nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale (“Gazeta zyrtare e Republikës së Kosovës” nr. 28/15 qershor 2008), dhe të nenit 53 të Statutit të Komunës së Prishtinës, 01. nr. 110 — 391, të dt. 25.02.2010.

DOKUMENT| Coca-Cola, fanta e kafe, Përparim Rama shpenzon 10 mijë euro në pije – Demokracia

Ditë më parë, Demokracia.com ka raportuar sesi Komuna e Prishtinës që drejtohet nga Përparim Rama ka paraparë t’i shpenzojë fiks 10 mijë euro për pije ekzotike, lëngje dhe kafe.

“Vlera e parashikuar është 9,999.90 euro. Furnizim me ushqim dhe pije. Afati i fundit për pranim të tenderëve, aplikacioneve: data 14.11.2022”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Në dosjen e tenderit është bërë edhe një përshkrim i shkurtër i lëndës së kontratës, ku janë treguar produktet që do të blihen me 10 mijë eurot e parapara./Demokracia.com/

Të ngjashme