Lajme
DOKUMENT| Përveç huqjes, Qeveria Kurti s’i di as procedurat dhe injoron MPJD-në
Demokracia
18:26 | 30 Prill 2022

Share:

Me propozim të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, sot kryeministri Albin Kurti kërkoi që të miratohet nisma për anëtarësim në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave, më konkretisht në Konventën e Parisit.

Kosova është anëtarësuar në këtë organizatë që nga 10 dhjetori i vitit 2015 dhe kjo mund të konsiderohet si një prej huqjeve më të mëdha të kryeministrit Kurti e ministres Hajdari.

Megjithatë, si huqje nuk është e vetmja, shkruan Demokracia.com.

Nënshkrimin për anëtarësim në këtë organizatë e kishte vënë Hashim Thaçi, asokohe zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i jashtëm.

Vetëm një vit pas anëtarësimit, Kosova kishte marrë pjesë në “Expo 2016 Antalia”.

Përveç se është paaftësi, e cila duket se buron nga ministria e Rozeta Hajdarit, Qeveria Kurti me këtë procedurë nuk e ka përfillur as bazën ligjore.

Iniciativën për anëtarësim në këtë organizatë e ka bërë MINT-i, gjë që nuk është e lejuar.

Sipas pikës 7.2 të Ligjit Ndërkombëtar, autorizimin për aderim në konventa të ndryshme e ka vetëm presidenti, kryeministri apo ministri i jashtëm i shtetit, që në këtë rast do të duhej bërë me iniciativë nga Vjosa Osmani, Albin Kurti apo Donika Gërvalla – Schwarz.

Demokracia.com nga burime brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka mësuar se MINT nuk e ka informuar dhe as që është konsultuar me këtë dikaster për këtë çështje, pasi që MPJD i ka të gjitha informacionet për anëtarësimet në organizata ndërkombëtare.

Demokracia.com ka raportuar se për herë të parë, Kosova pas anëtarësimit në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave mori pjesë ne Ekspozitën Ndërkombëtare të Hortikulturës gjatë vitit 2016, “Expo 2016 Antalia”.

Memli Krasniqi, atë kohë Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kishte hapur pavijonin e Kosovës në ekspozitën ku pjesëmarrëse ishin edhe 50 shtete të tjera. Kosova ishte ftuar të marrë pjesë edhe në “Expo Dubai 2020”, por edhe kjo ngjarje u shty për më vonë për shkak të Covid-19.

E qeveritarët e tashëm nuk vonuan shumë që të tentojnë të marrin merita për këtë “iniciativë”.

Zëvendësministri i MINT-it, Getoar Mjeku, ka bërë një postim qesharak në rrjetin social Facebook, ku tha se suksesi në Dubai e bëri këtë institucion që të kërkoi anëtarësimin në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave, duke mos e ditur që Kosova ishte anëtare që nga viti 2015 dhe që organizimi në Dubai ishte pikërisht si pasojë e këtij anëtarësimi të mëhershëm.

“Me angazhimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Republika e Kosovës sivjet ka marrë pjesë për herë të parë në një ekspozitë botërore, që u mbajt në Dubai të Emirateve të Bashkuara. Kjo përvojë e suksesshme na thelloi bindjen për rëndësinë që kanë promovimi i kulturës e potencialeve të vendit dhe bashkëpunimi me shtetet e tjera rreth ngjarjeve të këtilla. Andaj kemi kërku anëtarësimin në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave”, shkroi ai.

Ndërkaq, edhe Kurti tentoi ta paraqesë këtë si arritje të madhe të Qeverisë së tij, ku në mbledhjen e sotme e konsideroi si një hap të madh përpara.

Ky propozim është miratuar sot në Kuvendin e Kosovës me shumicë votash dhe siç duket asnjëri prej ministrave të Kurtit nuk ia ka pasur idenë për organizatat ku vendi është anëtarësuar para ardhjes së tyre në pushtet./Demokracia.com/

LEXO EDHE:

DOKUMENT| Kurti ia huq me të madhe, kërkon që Kosova të bëhet pjesë e organizatës ku anëtare është nga viti 2015

Të ngjashme