Kuvendi i delegatëve të Odës së Avokatëve të Kosovës është thirrur më 14 maj, ku pritet të miratohet buxheti dhe raporti njëvjeçar i saj.
Megjithatë, ky takim po kundërshtohet nga Dega e Odës së Avokatëve në Prishtinë.
Nasuf Hasani, Kryetar i Degës së Odës së Avokatëve në Prishtinë, ka thënë për Demokracia.com se u ka bërë thirrje avokatëve që të mos e votojnë buxhetin për vitin 2022, pasi sipas tij është jo-parimor.
Hasani ka thënë se në draft-buxhetin për vitin 2022 është planifikuar të rritet anëtarësia nga 250 në 300 euro, përkundër që në xhirollogarinë e OAK ka mjete të mjaftueshme.
Po ashtu, ai ka thënë se raporti i punës duhet të përgatitet nga Këshilli Drejtues i OAK-së dhe ky raport nuk është diskutuar asnjëherë në Këshillin Drejtues.
“Buxheti është jo-parimor edhe parashihet ngritja anëtarësisë. Përderisa ka mjete të mjaftueshme në buxhet të Odës, nuk ka nevojë me u ngrit anëtarësia dhe për këtë arsye jam kundër. Edhe planifikimi i buxhetit, ku parashikohet ngritja e anëtarësisë nga 250 në 300, parimisht jam edhe kundër pikave të rendit të ditës për arsye se raporti njëvjeçar nuk është diskutuar asnjëherë në Këshillin Drejtues, që është kompetencë e KD. Këshilli Drejtues e ka për obligim më përmbyll raportin. Mirëpo, është një çështje edhe e raportit të Këshillit Mbikëqyrës, në krye të të cilit janë Jeton Osmani dhe Agron Hoxha. Konsideroj se ka pasur konflikt interesi, si rrjedhojë nuk është bërë raporti korrekt dhe ju kam dërguar një e-mail për këtë çështje”, ka thënë Hasani për Demokracia.com.
Ai, po ashtu, ka akuzuar kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupin, se e ka falsifikuar vendimin për blerjen e 11 laptopëve për avokatë gjatë vitit 2020.
Ky rast është duke u hetuar edhe nga ana e Policisë së Kosovës.
Demokracia.com ka siguruar vendimin, ku Prokuroria Themelore ia ka kaluar lëndën Departamentit për Krime të Rënda. Lënda i është dërguar edhe Policisë së Kosovës, konkretisht njësisë së veçantë të hetimeve, për grumbullim të informatave.
“Vitin e kaluar është dërguar një vendim sa i përket çështjes së laptopëve. Janë blerë 11 laptopë. Ka qenë i autorizuar Behar Ejupi dhe Jeton Osmani. Mirëpo, unë dyshoj se kanë përfituar diçka, sepse është shkelë normativa e Odës, përkatësisht rregullorja për menaxhimin e brendshëm. Më e keqja është që në Kuvend kur kemi kërkuar llogari rreth blerjes së laptopëve, atëherë Behar Ejupi e ka ndryshuar vendimin edhe e ka inkorporuar edhe Ergjyment Barbullushin dhe vendimi origjinal është fotokopjuar nga dikush në Odën e Avokatëve edhe tek pastaj policia ka filluar që t’i marrë në pyetje, duke filluar nga stafi i Odës. Edhe pastaj ka dalë vendimi origjinal. Ndërsa në Kuvend është prezantuar një vendim tjetër. Por, ky vendimi që është në e-mail përputhet me vendimin dhe procesverbalin e mbledhjes ku është vendos për këtë çështje, që i bie se e ka falsifikuar vendimin e Këshillit Drejtues”, ka thënë ai, duke treguar që është kundërshtuar edhe raporti Financiar i Këshillit të OAK.
Demokracia.com ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupin, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve. /Demokracia.com/