Lajme
DOKUMENT| Përmbarohet Donika Gërvalla, shkeli dy herë ligjin që t’i hakmerrej diplomatit
Demokracia
12:32 | 26 Maj 2022

Share:

Diplomati Viskont Jakupi, i cili me vendim të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, ishte kthyer nga Misioni Diplomatik në Londër, ka vendosur që këtë institucion ta dërgojë të përmbaruesi.

Demokracia.com ka siguruar dokumentin, i cili i është dërguar Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 24 maj 2022.

“Kreditori Viskon Jakupi me vendim të datës 31.08.2021 të debitorit – zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, caktohet me gradën diplomatike Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër/Mbretëri të Bashkuar, me mandat katër (4) vjeçar. Sipas këtij vendimi, kreditori fillon realizimin e detyrave dhe obligimeve të tij në këtë ambasadë me datë 01/10/2021. Provë: Vendimi Nr. ref: 293/31 i datës 31.08.2021 i zv.kryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, thuhet në këtë vendim.

Lidhur me kthimin e Viskont Jakupit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dy herë ka vërtetuar se ministrja Gërvalla ka bërë shkelje ligjore ndaj tij.

Më 11 nëntor të vitit 2021, tri ditë para balotazhit në Prizren, Donika Gërvalla kishte marrë vendim që Viskont Jakupi, zyrtar i lartë për marrëdhënie dypalëshe, të kthehej prej misionit diplomatik në Londër, raporton Demokracia.com.

Në vendimin e KPMSHCK-së, të cilin e kishte siguruar Demokracia.com, ishte aprovuar si e bazuar ankesa me numër A.nr.117/2022 e datës 11/02.2022, e parashtruar nga ankuesi Viskont Jakupi dhe ishte shfuqizuar vendimi me Nr.ref:65/2022 i datës 07.02.2022 i zëvendëskryeminstres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

DOKUMENT| Ministria e Gërvallës bëri dy herë shkelje kur e shkarkoi Viskont Jakupin

Më 15.03.2021, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte nxjerrë vendim, me të cilin e kishte shfuqizuar vendimin e ministres Gërvalla, duke e detyruar atë që ta rishqyrtojë lëndën e ankuesit.

Pas këtij vendimi, Gërvalla kishte shfuqizuar vendimin, por e kishte lënë në fuqi pjesën ku konfirmohej tërheqja/kthimi nga misioni në Ministrinë e Punëve të Jashtme, shkruan Demokracia.com.

Ankuesi i pakënaqur me vendimin kishte parashtruar edhe një ankesë.

“Kolegji për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave, për vërtetimin e plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike si dhe vendosjes në mënyrë meritore, ka administruar këto prova: Ankesën e datës 24.11.2021 me Nr.Prot: 5640/2021 e parashtruar nga ankuesi në KSHPMSHC. Kolegji për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave, për vendosjen e kësaj çështje ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës të parashtruara nga palët dhe ka konstatuar se ankesa e Viskont Jakupit është e bazuar”, thuhej në vendim.

Andaj, Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, sikurse edhe analizimit të dispozitave ligjore, respektivisht ligjit material në rastin konkret dhe të gjeturave të pasqyruara në këtë vendim, ka konstatuar se vendimi me numër nr.ref.65/2022 i datës 07.02.2022, i nxjerrë nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është i paligjshëm, siç përcaktohet me dispozitat e Ligjit Nr.05.L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, neni 52 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe nënparagrafi 1.5./Demokracia.com/

Të ngjashme