Lajme
DOKUMENT| Peci i hip BMW-së, shkon në Kroaci katër ditë para takimit me homologen e tij
Demokracia
17:00 | 07 Shkurt 2022

Share:

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ndodhet për vizitë zyrtare në Kroaci.

Peci për në kryeqytetin kroat ka udhëtuar me veturë të marrë huazim nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Me BMW-në e blerë në kohën kur Behgjet Pacolli ishte Ministër i Jashtëm, Peci ka udhëtuar bashkë me dy persona tjerë.

Udhëtimin me BMW-në e MPJD-së drejt Zagrebit e ka konfirmuar këshilltarja e Pecit, Flutur Mustafa, shkruan Demokracia.com.

“Ministri Faton Peci është parë duke ngarë veturën protokollare të MPJD të premten me datë 04.02.2022 pasi që e njëjta është marrë në huazim për udhëtimin zyrtar pas ftesës së homologes kroate drejt Kroacisë pasditen e datës 05.02.2022”, ka shkruar Mustafa.

Demokracia.com ka arritur ta sigurojë agjendën e Pecit në Kroaci. Sipas kësaj agjende, ministri ka shkuar atje bashkë me Bekim Hoxhën, shef i Agjencisë së Pylltarisë së Kosovës dhe shoferin e tij, Behar Syla.

Sipas agjendës, Peci takimet i ka filluar sot, mirëpo veturën BMW nga MPJD-ja e ka marrë në huazim tri ditë më parë. Udhëtimi me veturë nga Prishtina për në Zagreb zgjatë përafërsisht nga 9 deri në 10 orë.

Megjithatë, ministri kosovar homologen e tij kroate do ta takojë vetëm ditën e fundit të vizitës, të mërkurën e 9 shkurtit.

“Takimi me zonjën Maria Vuçkoviq, Ministre e Bujqësisë së Republikës së Kroacisë, ora 9 e 30”, thuhet në agjendë dhe më pas përmendet largimi i delegacionit të Republikës së Kosovës.

Sipas asaj që ka thënë këshilltarja e Pecit, veturën e huazuar të MPJD-së, ministri do të kthejë më 10 shkurt, shkruan Demokracia.com.

“Marrja e këtij aseti shtetëror në huazim është bërë së pari për t’i racionalizuar shpenzimet; rreth 1800 euro kosto të biletave përmes Vjenës dhe Stambollit e së dyti për mungesë të linjës direkte të fluturimit nga Prishtina për Zagreb, për delegacionin të përbërë prej 3 personave apo në gjuhën protokollare 1 + 2”, ka thënë këshilltarja e Pecit.

Gjatë qëndrimit në Kroaci, sipas agjendës, Peci sot e ka pasur të planifikuar vetëm një takim në Agjencinë Pyjore të Kroacisë në ora 10:00, ndërkaq nesër ditën do ta ketë më të ngarkuar. Të mërkurën e takon homologen e tij në ora 9 e 30 dhe nuk ka më takime tjera. /Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme