Lajme
DOKUMENT| Pazaret politike të “çlirimtarit”, rehaton edhe ish-kandidatin për kryetar të LDK-së
Demokracia
16:07 | 19 Maj 2022

Share:

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, po i vazhdon favorizimet për punësime në poste publike. Përkundër që e kishte kundërkandidat në zgjedhjet lokale, Aliu e ka rehatuar ish-kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të kësaj komune, Bedri Zeqirin, në ndërmarrjen “Pastërtia”.

Zeqiri e Aliu zyrtarisht ishin rivalë në zgjedhjet e tetorit, megjithatë ata shpeshherë janë parë të afërt me njëri-tjetrin. Demokracia.com e ka siguruar vendimin e emërimit të Bedri Zeqirit, ish-kandidat për kryetar të Komunës së Shtimes nga LDK, si anëtar i Bordit të Kompanisë Rajonale “Pastërtia”.

Dy anëtarët e tjerë janë të emëruar nga Kuvendi Komunal, ndërsa Zeqiri nga ana e kryetarit Qemajl Aliu.

“Stuhia e fitores së 17 Tetorit do të bëhet Uragan me 14 Nëntor!”, kështu kishte shkruar në profilin e tij në Facebook, Qemajl Aliu, para 6 muajsh teksa shihej në një fotografi bashkë me Bedri Zeqirin, në një prej lokaleve në Shtime, që në atë kohë spekulohej për koalicion të mundshëm mes këtyre dy parive. Por, tani duket se ka dalë në pah edhe pazari politik i arritur në prapaskena nga LVV dhe LDK në Shtime, i cili ia kishte siguruar Aliut fitoren në zgjedhjet komunale për balotazh të mbajtura më 14 nëntor 2021.

Demokracia.com ka provuar të kontaktojë me Kadri Eminin, kryetarin e LDK-së në Shtime, për të kuptuar nëse pozita e Zeqirit ka qenë pjesë e marrëveshjes së koalicionit mes këtyre dy partive, megjithatë ai nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Për shoqërinë civile, LVV dhe LDK po vazhdojnë ta shfrytëzojnë pushtetin për t’i rehatuar njerëzit e afërt në pozita të larta në institucionet publike.

Nga organizata “AVONET”, e cila monitoron punën në Komunën e Shtimes, thonë se në këtë mënyrë krijohen dyshime për mos profesionalizëm dhe vihet në pikëpyetje se sa personi i zgjedhur do të jetë në shërbim të interesit publik, para atij partiak.

Kenan Gashi nga “AVONET” ka thënë për Demokracia.com se Aliu këtë mandat e ka fituar pikërisht duke u bazuar në pazare politike.

Sipas tij, punësimi i aktivistëve politikë nëpër borde dhe ndërmarrje publike është bërë traditë tanimë për këtë pushtet.

“Kryetari i tanishëm i Komunës së Shtimes këtë mandat e ka fituar pikërisht duke u bazuar në pazare politike. Kjo gjë po vërehet edhe ma shumë tani kur po i materializon në praktikë këto pazare, duke punësuar njerëz partiak, duke diskriminuar profesionistët dhe qytetarët që janë të denjë për këto pozita. Raste të tilla tanimë janë bërë rutinë dhe kjo paraqet shkelje të pozitës zyrtare dhe të drejtave të njeriut. Punësimi i aktivistëve politikë nëpër borde dhe ndërmarrje publike është bërë tradicionale tanimë për këtë pushtet. Në baza ditore mësohet për raste të punësimit dhe rehatimit të aktivistëve politikë, të cilët edhe nuk i përmbushen kriteret dhe kushtet për këto pozita. Theksoj se kjo nuk paraqet shtetin dhe të drejtën për të cilën gjithnjë është thirrur kjo qeveri. Për më tepër, paraqet rastin tipik të abuzimit me pushtetin shtetëror”, ka thënë Gashi për Demokracia.com.

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, është kritikuar vazhdimisht për favorizimin politik gjatë punësimeve të njerëzve të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me LDK-në. /Demokracia.com/

Të ngjashme