Lajme
DOKUMENT | Pas xhipit të Rugovës, Vjosa Osmani përgatit edhe një libër me intervista të tij
Demokracia
21:02 | 14 Dhjetor 2023

Share:

Presidentja Vjosa Osmani, ndonëse e braktisi partinë e liderit të saj shpirtëror, ish-presidentit Ibrahim Rugova, tani po mundohet të fshihet akoma pas figurës së tij dhe t’ia marrë LDK-së edhe “trashëgiminë politike”, shkruan Demokracia.com.

Vetëm pak ditë pasi mori vendim që të riparohet automjeti ”Chevrolet” për aktivitete ceremoniale, i cili i taktonte ish-presidentit Rugova, tash Osmani ka marrë edhe një vendim tjetër.

Bëhet fjalë për nxjerrjen e një libri me fjalimet e ish-presidentit Rugova.

“Përzgjedhja dhe përgatitja e materialeve të librit me intervista dhe fjalime të Presidentit Rugova, si dhe dizajnimi i librit”. Decidivisht, kështu quhet kontrata e lidhur më kompaninë “Shkrola” SHPK, në një vlerë prej 985.00 eurosh. Kompania do ta dorëzojë vetëm një ekzemplar në prezencë.

Nga ana tjetër, Osmani që kishte thënë se vetura e ish-presidentit Rugova duhet të ruhet në muze, tani është penduar. Ajo ka vendosur që njërën prej veturave të eskortës së tij ta mbajë për vete dhe të bëjë marketing institucional më të, shkruan Demokracia.com.

Eskortën e ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova e përbënin gjashtë vetura, por një ishte më e veçantë. Bëhet fjalë për atë në të cilën ishte kryer një atentat ndaj Rugovës. Osmani ka urdhëruar Zyrën e Prokurimit që të nisë procedurat për riparimin e saj, ngase po i nevojitet për ceremoni të ndryshme.

“Riparimi dhe përgatitja teknike e automjetit historik Chevrolet për aktivitete ceremoniale”. Kështu quhet tenderi që është shpallur nga Presidenca, për të cilin janë ndarë 9900 euro.

Veturat e tipit Chevrolet i ka zënë pluhuri që shumë vite në oborrin e Presidencës dhe disa në oborrin e Ministrisë së Kulturës.

Ndonëse shpeshherë i bashkojnë interesat e ngushta, Osmani vazhdimisht e ka sfiduar ish-partinë e saj, LDK-në, me përpjekjet e saj për t’ua marrë trashëgiminë politike të Rugovës. Më herët, Osmani si presidente e kishte krijuar edhe bibliotekën presidenciale ” Dr. Ibrahim Rugova” dhe vlen të theksohet se edhe simbolin e tij, Flamurin Dardan, ajo dhe LDK-ja e ndajnë si simbol të përbashkët presidencial dhe partiak. /Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme