Përveç ambasadorëve, një numër i madh i diplomatëve dhe zyrtarëve të tjerë të shërbimit të jashtëm janë shkarkuar që prej ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti II. Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz, shumicën e këtyre shkarkimeve e kreu në mënyrë të jashtëligjshme, ndërsa tani ka vendosur që të rehatojë persona të tjerë në pozitat që kanë mbetur të zbrazëta.
Gjatë ditës së premte, MPJD ka shpallur konkurs për 32 vende të lira të punës, ku pritet të rehatohen përkrahës të pushtetit aktual.
Në konkursin e publikuar nga MPJD janë cekur edhe kriteret që duhet t’i plotësojnë personat që do të aplikojnë, ku nuk kërkohet as përvojë punë dhe as referenca, shkruan Demokracia.com.
Madje, edhe për përkthyes të zakonshëm vendosen kritere më strikte sesa për diplomatë në këtë konkurs të MPJD-së.
Demokracia.com mbrëmë raportoi se kryediplomatja Donika Gërvalla – Schwarz e ka larguar edhe një numër të madh të punonjësve të MPJD-së nga diplomacia e shtetit.
Pasi që Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil e shpalli veten jokompetent për trajtimin e rastit të mëhershëm të shkarkimit të 11 diplomatëve, tani Gërvalla po e largon edhe një grup të madh të punonjësve të MPJD-së nga diplomacia e shtetit, ku numri i tyre sipas burimeve brenda këtij dikasteri qeveritar është 21 diplomatë dhe punonjës të MPJD-së.
Numri i diplomatëve të shkarkuar më parë dhe i listës së djeshme arrin saktësisht në 32, aq sa është edhe numri i i vendeve të lira të punës për të cilat sot ka hapur konkurs MPJD.
Këto shkarkime politike, Gërvalla i kishte arsyetuar duke kontestuar konkurset e rekrutimit të tyre, pasi që një numër të tyre i kishte “shënjestruar” si të afërt më opozitën.
Demokracia.com lidhur me këto shkarkime e kishte kontaktuar përmes telefonit ministren Donika Gërvalla-Schwarz dhe shefin e kabinetit të saj, Sharr Jakupi, por siç ndodh rëndom ata nuk janë përgjigjur.
Po ashtu, gjatë muajve të fundit nga kabineti i Gërvallës kanë dhënë dorëheqje edhe disa prej këshilltarëve të saj, të cilët pritet të akomodohen në diplomaci me këtë konkurs.
Vlen të theksohet se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e kishte shpallur veten jokompetent për të vendosur për ankesën e grupit të diplomatëve të shkarkuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Ndonëse e kishte shqyrtuar ankesën e tyre për javë të tëra, këshilli në fund e kishte shpallur veten jokompetent për të marrë vendim dhe t’i japë drejtim kësaj çështjeje, duke e lënë kështu fatin e diplomatëve të shkarkuar vetëm në “duar” të gjykatës./Demokracia.com/