Lajme
DOKUMENT| Osmani e Kurti shkuan si “turistë” në Mynih, nuk figurojnë në agjendën zyrtare të konferencës
Demokracia
13:04 | 18 Shkurt 2022

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe kryediplomaten Donika Gërvalla, kanë udhëtuar për në Mynih të Gjermanisë për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë.

Por, si duket ata kanë shkuar atje me shpresë që do ta realizojnë ndonjë takim vetëm nëpër korridore, pasi që në agjendën zyrtare të kësaj konference askund nuk figurojnë emrat e krerëve të institucioneve të Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Demokracia.com e ka siguruar agjendën zyrtare të kësaj konference dhe në asnjërin prej paneleve të diskutimit, Osmani, Kurti e Gërvalla nuk figurojnë si pjesëmarrës dhe folës.


Shkuarjen e krerëve të shtetit e kanë konfirmuar edhe Zyra e Presidentes dhe Zyra e Kryeministrit.

MSC është themeluar më 1963 dhe që nga atëherë është një forum i pavarur në të cilin promovohen zgjidhjet paqësore të konflikteve, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe dialogu.

Fjalimet kryesore në tre ditët e ardhshme do të mbahen nga kancelari gjerman Olaf Scholz, zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Rusia përkundër tensioneve të krijuara në kufi me Ukrainën, ajo nuk është e përfaqësuar me një delegacion zyrtar.

Situata e sigurisë në Evropë nuk ka qenë kurrë më kritike se në këtë moment të takimit të ekspertëve e politikanëve më të njohur nga e gjithë bota në këtë konferencë tradicionale, mjaft të njohur në botë. Sinjalet e shtensionimit, që u duk se i mori me vete kancelari Olaf Scholz pas vizitës në Moskë, duket se janë shtuar sërish dhe shqetësimi për një sulm rus është në rritje.

Antony Blinken pritet të jetë të premten në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku së bashku me Ministren e Jashtme, Annalena Baerbock, do të diskutojë në një podium të konferencës për krizën e Ukrainës. Kurse, të shtunën në Konferencën e Sigurisë në Mynih priten të flasin si panelist Scholz, Zelensky dhe Kamala Harris.

Përveç kësaj, ministrat e jashtëm të fuqive demokratike do të diskutojnë veprimit e mëtejme në lidhje me krizën aktuale. Gjermania ka kryesinë e grupit të G7-s, ku bëjnë pjesë SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia.

Në Mynih pritet të jetë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe krerët e BE-së. /Demokracia.com/

Të ngjashme