Lajme
DOKUMENT | “Njëzet zyrtarë të misionit diplomatik”, njerëzit e Vetëvendosjes dhe Gërvallës ‘hyxhym’ në MPJD
Demokracia
22:44 | 18 Janar 2024

Share:

Njëzet zyrtarë të misionit diplomatik po synon t’i punësojë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila udhëhiqet nga Donika Gërvalla-Schwarz. Njerëz të afërt me ministren Gërvalla, me GUXO dhe me Vetëvendosjen tashmë me njërën këmbë janë futur brenda ministrisë, shkruan Demokracia.com.

Lëvizja Vetëvendosje dhe ministrja Gërvalla-Schwarz po duan që disa nga zyrtarët e misionit diplomatik të jenë njerëz të tyre.

MPJD ka hapur konkurs për 20 vende të punës për “Zyrtar i misionit diplomatik”, që më datë 23.11.2023, ndërsa ka qenë i hapur deri më 22 dhjetor të vitit të kaluar.

Tashmë, siç ka mësuar Demokracia, ministria ka përzgjedhur emrat që kanë të drejtë të vazhdojnë konkurrimin dhe të ftohen në testin më shkrim. Nga dhjetra persona sa kanë garuar janë selektuar vetëm 23.

 

 

 

Në listën që e ka parë Demokracia.com janë emrat: Adea Kocmezi, Albana Mani, Dardane Çeku Ademaj, Diellza Bakija, Eliot Zenunaj, Eliza Zullufi, Eljona Sopjani Sadikaj, Erika Hasani, Fatlume Hoti, Fatmire Kastrati, Fjolla Hajzeraj, Flaka Dalipi, Florentina Halili Mehmeti, Liburn Mustafa, Nuhi Shala, Orgest Loci, Pajtim Balaj, Sabile Krasniqi Berbatovci, Shkumbin Beqiri, Teuta Agushi, Trina Konushevci, Valmir Hoxha, Zanë Gashi Uqmaku.

Demokracia.com ka mësuar se Trina Konushevci ka qenë këshilltare e ministres Donika Gërvalla-Schwarz.

Ndërsa, Flaka Dalipi është familjare e Luan Dalipit, shefit të stafit të kryeministrit Kurti. Motra e Flaka Dalipit, e cila ishte punësuar në prokurimin e Komunës së Prishtinës në kohën kur udhëhiqte Vetëvendosje, para pak kohësh është transferuar në zyrën e prokurimit të MPJD-së. Bëhet fjalë për zyrtaren e prokurimit, Kaltrina Dalipi.

Në listë është edhe emri i Pajtim Balaj. Ai është një ndër aktivistët e parë të Lëvizjes Vetëvendosje. Aktualisht edhe Drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Podujevës, e cila udhëhiqet nga Shpjetim Bulliqi.

Po ashtu, aty është edhe Fjolla Hajzeraj, e cila në vitin 2022 ka qenë e angazhuar në diplomacinë e jashtme nga ministrja Gërvalla-Schwarz.

Pranimi i tyre në MPJD, pas selektimit do të jetë shumë i mundshëm, pasi për 20 vende janë përzgjedhur vetëm 23 persona. Kjo nuk është hera e parë që partia në pushtet e shfrytëzon forcën e saj për të punësuar njerëz në këtë ministri. /Demokracia.com/

Të ngjashme