Vjosa Osmani e Albin Kurti kanë emëruar sot në pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së, Kujtim Shalën, një personazh që disa herë ishte përfolur në media pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje.
I sapoemëruari Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së, Kujtim Shala, thuhet se është i afërt me njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcën, Rabit Konjufcën, Shemsi Sylën e Sadri Ramabajën.
Kujtim Shala ishte një IT në Forcën e Sigurisë së Kosovës, që më herët nuk e njihte askush në publik, shkruan Demokracia.com.
Emri i tij u bë i njohur ditën kur u emërua nga Qeveria Kurti anëtar i Bordit në Ndërmarrjen Publike “Posta e Kosovës”.
Po atë ditë u mësua se Kujtim Shala ishte suspenduar nga FSK-ja.
DOKUMENT| Ky është vendimi i suspendimit nga FSK-ja i kryeinspektorit të ri të AKI-së
Demokracia.com sjell ekskluzivisht CV-në e tij për të mësuar më shumë se kush është Kujtim Shala:
Kujtim Shala ka lindur në Barilevë të Prishtinës dhe është një ekonomist. Ai ka studiuar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjegjësisht në Fakultetin Ekonomik, bachelor e master.
Shala në CV-në e tij thotë se anglisht e serbisht vetëm di të lexojë mirë, por jo edhe aq mirë të shkruajë e të flasë.
Para FSK-së, ai kishte punuar në disa kompani private dhe njëra prej tyre ishte edhe Kuvilab SHPK, e cila merret me përpunimin e mishit dhe prodhimin e sallamit e suxhukut.
Po ashtu, ai kishte punuar edhe në PBC dhe Genetics. /Demokracia.com/