Më 27 prill është nënshkruar traktati për transferimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë, më konkretisht në burgun e Gjilanit.
Kosova përmes një marrëveshje i ka dhënë 300 qeli burgu me qira Danimarkës, ku janë planifikuar të mbahen 300 të dënuar që nuk janë të rrezikshmërisë së lartë, raporton Demokracia.com.
Siç u bë e ditur nga Ministria e Drejtësisë, ky traktat do t’i hapë rrugë bashkëpunimin mes dy vendeve në avancimin e shërbimeve korrektuese, projekteve për energji të gjelbër si dhe sundimit të ligjit.
Demokracia.com ka parë disa prej pikave të këtij traktati, ku njëra prej tyre, thekson se dëmet e mundshme në burgun e Gjilanit, do t’i paguajë Kosova.
“Dëmtimi i pronës së burgut nga të burgosurit si rezultat i përdorimit ose vandalizimit, do të përballohet nga shteti pritës”, thuhet në pikën e 11-të të këtij traktati.
Ndërkaq, pika 9 e traktatit thotë se Kosova do t’i vendosë kushtet në burg lidhur me qelitë, ku për dy persona qelia duhet të ketë sipërfaqe jo më pak se 6 metra katrorë, ndërsa për më shumë, jo më pak se 8 metra katrorë, raporton Demokracia.com.
Të gjithë këto, siç thuhet në traktat, do të jenë në përputhje me rregulloren e shtetit dërgues, që në këtë rast është Danimarka.
Vlen të theksohet se një model i ngjashëm, para pak ditësh i është propozuar edhe Suedisë, por partitë atje nuk kanë gjetur një qëndrim të përbashkët lidhur me transferimin e të burgosurve që ta vuajnë dënimin në Kosovë.
Ndryshe, Qendra Korrektuese me 300 qeli që i është dhënë me qira shtetit të Danimarkës gjendet në fshatin Pasjak, në afërsi të qytetit të Gjilanit, në lindje të Kosovës.
Në këtë burg nuk do të ketë të dënuar për terrorizëm dhe as të dënuar me sëmundje mendore./Demokracia.com/