Lajme
DOKUMENT| Në qeverisjen e Qemajl Aliut dyshohet se u vodh në drunj për ngrohje
Demokracia
20:07 | 26 Dhjetor 2022

Share:

Komuna e Shtimes ka furnizuar me dru objektet e tetë shkollave dhe Qendrës Klinike të Mjekësisë Familjare (QKMF). Mirëpo, në disa shkolla po dyshohet se ka mungesë të drunjve.

Komuna e Shtimes e udhëhequr nga Qemajl Aliu i Lëvizjes Vetëvendosje ka paguar 266 mijë e 280 euro për 4 mijë e 200 metra kub dru.

Por, në disa shkolla po dyshohet se ka sasi më të vogël të drunjve deri në 200 metra më pak. Kjo ka bërë që Policia e Kosovës, përkatësisht Departamenti për Krime Ekonomike të fillojë hetimet.

Kontrata është nënshkruar mes Komunës së Shtimes dhe furnizuesit N.T.SH “BEDI COM” për 16 muaj apo 518 ditë, nga 30 shtatori 2022 deri më 01 mars 2024, shkruan Demokracia.com.

Komuna e udhëhequr nga Qemail Aliu për furnizim me dru vetëm për shkolla ka paguar 215 mijë e 560 euro, ndërsa për QKMF ka paguar 50 mijë e 720 euro.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Komunën e Shtimes, përmes një reagimi për media ka kritikuar qeverisjen aktuale të kryetarit Qemajl Aliu për dyshimet e keqpërdorimit të tenderit furnizues me lëndë djegëse në QKMF dhe shkolla.

Por, menaxheri i kontratës Armend Imeri ka mohuar për Demokracia.com se ka pasur keqpërdorime.

Imeri ka thënë se furnizimi me dru është kryer sipas kontratës dhe, sipas tij, asnjë shkollë nuk ka mungesë të drunjve.

“Furnizimi është kryer sipas kontratës, ashtu siç e përcakton kontrata sasinë janë shpërndarë nëpër shkolla. Ato e kanë pranuar sasinë dhe tanimë kanë përfunduar mbi një muaj apo 40 ditë sasitë e fundit për përfundim të kontratës. S’kam asnjë vërejtje me shkrim apo asnjë ankesë nga drejtorët e shkollave. Asnjë shkollë nuk ka mungesë të drunjve”, ka thënë Imeri për Demokracia.com.

Edhe Drejtori i Arsimit në Komunën e Shtimes, Lulzim Sahiti, ka thënë se nga drejtorët e shkollave nuk ka pranuar ankesa për mungesë të drunjve.

“Asnjë ankesë nuk e kam pranuar nga drejtorët e shkollave. Të gjitha shkollat janë të furnizuara me dru me sasinë sa e kanë kërkuar. Unë nuk jam menaxher i kontratës, por si drejtor nuk kam pranuar ankesë nga shkollat për ngrohje”, ka thënë Sahiti për Demokracia.com.

Demokracia.com ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës lidhur me rastin, mirëpo deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Në kontratën për furnizim me dru është i paraparë edhe furnizimi me dru ah e bung, por siç ka mësuar Demokracia.com, edhe disa drejtorë e mësimdhënës e kanë pranuar që janë furnizuar vetëm me drunj plepi dhe qershie. Këtë e kishte konfirmuar edhe një anëtar i Kuvendit Komunal para asamblistëve të kësaj komune, i cili është profesor në Shkollën e Mesme Profesionale në Shtime. /Demokracia.com/

Të ngjashme