Shpejtim Bulliqi, që drejton Komunën e Podujevës, ka vepruar në kundërshtim me gjendjen aktuale ekonomike. Në vend që të ulë shpenzimet për “qejfe”, ai i ka shumëfishuar ato. Veç për “zbukurimin” e Podujevës ka shpenzuar rreth 20 mijë euro.
Komunës së Podujevës i ka kushtuar afër 20 mijë euro zbukurimi i sheshit të qytetit për festat e fundvitit.
Ky i institucion që drejtohet nga Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes, ka dekoruar qytetin si çdo vit tjetër, por tanimë duke i dhënë një rëndësi më të madhe dhe duke ndarë me shumë mjete financiare, shkruan Demokracia.com.
Nga buxheti i saj, Komuna e Podujevës ka ndarë hiç me pak se 19 mijë e 930 euro për dekorimin e qytetit.
Tenderin për zbukurimin e qytetit e ka fituar kompania “ProTrade Kosova SH.P.K”.
Për dallim nga ky vit, buxheti i ndarë në vitet paraprak për dekorimin e qytetit nuk arrinte as në 3 mijë euro.
Megjithatë, kjo shumë u rrit në vitin 2021 në afro 10 mijë euro, ndërsa në vitin që lamë pas, kjo komunë ndau rreth 20 mijë euro.
Ndërsa, shuma e shpenzuar për dekorim të qytetit në vitin 2020 ka qenë 2 mijë e 780 euro’’. /Demokracia.com/