Lajme
DOKUMENT | Në emër të vizitës studimore, Komuna e Shtimes i shëtit asamblistët deri në Shkodër për Vitin e Ri
Demokracia
19:01 | 02 Dhjetor 2023

Share:

Çkado që të ndodhë në Kuvend në mes pozitës e pozitës, duhet të mbetet në Kuvend. Kështu mendon edhe Komuna e Shtimes, e cila do t’i dërgojë kah mesi i muajit dhjetor të gjithë asamblistët në një piknik dyditor, shkruan Demokracia.com.

“Pak shëtitje jashtë vendit në këtë fundvit”, “Të gjithë së bashku për një vikend në Shkodër”. Njëra prej këtyre dy frazave më gjasë mund të ketë qenë në kokën e kryetarit të Shtimes, Qemajl Aliut, këto ditë kur i shkoi në mendje të organizoi një ndeje të përbashkët për asamblenë komunale. Por, dikush tek financat mund të ketë qenë më i dijshëm se ai dhe t’ia ketë tërhequr vërejtjen se nuk bënë të themi kështu, meqë tingëllon si keqpërdorim i parasë publike.

“Vizitë studimore jashtë vendit”. Decidivisht kështu quhet një tender i vlerës së vogël që e ka hapur Komuna e Shtimes për dërgimin jashtë Kosovës të 21 asamblistëve të saj, si dhe një pjese tjetër të vogël të stafit komunal. Gjithsej 28 persona. Për kompaninë turistike, komuna ka ndarë 5320 euro, shkruan Demokracia.com.

Vendi i akomodimit për dy netë do të jetë Shkodra, duke përfshirë dy mëngjese, tri dreka, dy darka. Një drekë duhet të servohet jashtë hotelit (përcaktohet nga komuna). Gjatë shujtave duhet të servohet nga një lëng dhe ujë. Akomodimi duhet të bëhet nga dy persona në dhomë, eventualisht tre, në kushte të njëjta.

Tek përshkrimi i kontratës, komuna ka sqaruar se do të bëjnë vizitë tek kalaja e Rozafës në Shkodër (nëse është e nevojshme me autobus). Vizitë në Komunën e Lezhës ose Ulqinit, sipas kërkesës së komunës.

Në vizitat studimore objektivat duhet të jenë të qarta. E këtu komuna nuk i ka vendosur, duke ua lënë në duar asamblistëve se ku po kanë dëshirë të shkojnë në Lezhë apo në Ulqin.

Siç shihet nuk bëhet fjalë për kurrfarë vizite studimore, por për një shëtitje për ‘pikë të qejfit’. /Demokracia.com/

Të ngjashme