Lajme
DOKUMENT| Në emër të Presidencës, Blerim Vela i kërkon Harvardit ndihmë financiare për bursistin e MASHTI-it
Demokracia
17:51 | 26 Tetor 2022

Share:

Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani, po e përdorë pozitën e tij zyrtare për të favorizuar njerëz të caktuar.

Demokracia.com ka siguruar një letër, ku Vela në emër të Presidencës së Kosovës i kërkon Universitetit të Harvardit ndihmë financiare për një student kosovar, ndihmë që ia kishte siguruar edhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Blerim Vela i ka shkruar Presidentit të Harvardit, Lawrence S. Bacow dhe dekanit të Harvard Kennedy School, Douglas Elmendorf, nga të cilët duke e përdorur besimin e dhënë nga institucionet shtetërore kërkon favorizim për studentin Erblin Ribari.

“I nderuar President Bacow dhe Dekan Elmendort, në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, ju lutem pranoni vlerësimin tim më të ngrohtë për mbështetjen e vazhdueshme që Universiteti i Harvardit, përkatësisht Shkolla e Harvardit Kennedy (HKS), ka dhënë në edukimin e liderëve të rinj të Kosovës. Falë lidershipit dhe përkushtimit tuaj, ne kemi fituar një brez të ri nëpunësish civilë dhe liderësh të tjerë që kanë formësuar peizazhin aktual politik dhe ekonomik. Ju dhe stafi juaj duhet të jeni shumë krenarë për këtë arritje!”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Vela.

Ai nëpërmjet kësaj letre kërkon nga Universiteti i Harvardit, përkatësisht Shkolla Kennedy, që studentit Erblin Ribari t’i ofrohet ndihmë financiare për të përfunduar shkollimin, shkruan Demokracia.com.

“Ne jemi të nderuar që kemi z. Erblin Ribari, i vetmi student kosovar që aktualisht ndjek programin Master të Administratës Publike në HKS. Erblin është angazhuar në iniciativa të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare që synojnë fuqizimin e të rinjve, zgjerimin e fushës së të drejtave të njeriut dhe nxitjen e sektorit financiar në Kosovë. Ai është një nga të parët që ka thyer akullin dhe për të përfaqësuar Kosovën në gara të ndryshme në Amerikën e Veriut, ku u shpërblye me vendin e parë, shërbeu si Ambasador i Paqes për çështjet humanitare në OCHA të Kombeve të Bashkuara në Azinë Juglindore dhe u njoh në listën e Forbes “30 nën 30 vjeç”. Si një nga profesionistët në ardhje në fushën e financave. Pavarësisht se sa i gatshëm për të fituar aftësi në HKS, Erblin po përballet me probleme financiare që po e pengojnë atë të arrijë potencialin e tij maksimal”, ka shkruar Vela.

Shefi i stafit të Osmanit shprehet se duke e ndihmuar studentin Ribari, Harvardi do të ndihmonte forcimin e institucioneve të Kosovës.

“Duke pasur parasysh kontributin e tij të rëndësishëm për atdheun e tij, ne jemi të prirë të gjejmë mënyra për ta bërë realitet udhëtimin e tij në HKS. Duke pasur parasysh buxhetin tonë të kufizuar për të mbuluar tarifat e tij të shkollimit, ne kërkojmë mbështetjen tuaj financiare për t’i mundësuar atij të përfundojë studimet në HKS. Me ndihmën e Erblinit, ne jemi gjithashtu të interesuar për forcimin institucional dhe mundësitë e diversifikimit ekonomik në Kosovë”, thuhet në letrën e Velës.

Demokracia.com ka kërkuar sqarim zyrtarisht nga shefi i stafit të presidentes Osmani, Blerim Vela, përse e ka favorizuar studentin kosovar, por ai nuk ka kthyer përgjigje, ndonëse vetëm pak ditë më parë i njëjti kishte akuzuar në llogarinë e tij në Twitter se nuk ishte kontaktuar nga mediumi për një raportim, ku në një dokument zyrtar ishte përmendur shqetësimi i Presidencës lidhur me koeficientin e pagës së tij.

Ribari rezulton të ketë përfituar bursë edhe nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në vitin 2021.

Se ai ka fituar bursë kishte njoftuar edhe vetë ministrja Arbërie Nagavci.

“E lumtur që do të mbështesim 16 studentë të rinj të Kosovës që do të studiojnë në Top 50 universitetet më të mira në botë. Në thirrjen që e kemi hapur për të mbështetur studentët, kanë aplikuar gjithsej 531 vajza e djem nga e gjithë Kosova të cilët me sukses vijojnë studimet në universitete të ndryshme të botës. Secila dhe secili prej tyre meritojnë mbështetjen tonë. Duke qenë se kjo është hera e parë që kemi hapur një thirrje të tillë, arritëm të mbështesim vetëm këta 16 kandidatë”, kishte shkruar Nagavci.

Ministrja e Arsimit kishte thënë se të gjithë përfituesit janë studentë të 50 universiteteve më të mira në botë.

“Gjysma e tyre hyjnë në mesin e top dhjetëshes së “Times Higher Education” në nivelin BA, MA dhe PhD. Angazhimi ynë për sa më shumë mundësi për të gjithë do të jetë i vazhdueshëm. Jam e bindur se bashkëpunimet tona do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, kishte shkruar Nagavci.

Sikur drejtimi i Ribarit të ishte deficitar në Kosovë, mbase edhe mund të mirëkuptohej kërkesa për përkrahje e Velës në emër të Presidencës, por administratë publike kanë përfunduar mijëra të rinj kosovarë. /Demokracia.com/

Të ngjashme