Shoqata e ndërmarrjeve që merren me qarkullimin e naftës, derivateve të naftës, gazrave dhe lubrifikantëve (SHQNGL), përmes Odës Ekonomike të Kosovës ia kanë nisur një kërkesë Qeverisë së Kosovës.
Pas reagimit të Qeverisë së Kosovës, e cila paralajmëroi se do të marrë vendim në lidhje me rregullimin e çmimeve të naftës dhe benzinës, shoqata e ndërmarrjeve që merren me qarkullimin e naftës, derivateve të naftës, gazrave dhe lubrifikantëve (SHQNGL), përmes Odës Ekonomike të Kosovës ia kanë nisur një kërkesë ekzekutivit, përkatësisht kryeministrit Albin Kurti, zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ministres Rozeta Hajdari dhe ministrit Hekuran Murati.
Në dokumentin e siguruar nga Demokracia.com, ndër të tjerash thuhet se “sot Qeveria e Kosovës nga çdo litër naftë dhe benzinë të shitur mbledh rreth 64 centë apo 12 centë më shumë sesa para krizës globale”.
Po ashtu, SHQNGL ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ulë TVSH-në për produktet e naftës dhe të ul akcizën sipas vendimeve që kanë marrë vendet e rajonit, raporton Demokracia.com.
“Ne jemi për rregullim të mirë të industrisë së naftës, por jo me vendime arbitrare që kanë për qëllim dëmtimin e industrisë së naftës dhe jo mbrojtjen e konsumatorit”, thuhet në pikën 6 të kësaj kërkese.
Naftëtarët kanë kërkuar nga Qeveria që minimalisht marzhat të caktohen në bazë të çmimeve aktuale, pra shitja me shumicë të jetë 3 për qind dhe me pakicë 12 për qind.
Naftëtarët kanë paralajmëruar mbyllje të të gjitha pikave të derivateve në rast se Qeveria e Kosovës nuk i merr parasysh kërkesat e tyre, raporton Demokracia.com.
E gjithë kjo, sipas tyre, do të bëhet me qëllim të shmangies së falimentimit.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës parashihet të jetë për një periudhë 90-ditore dhe më këtë vendim është propozuar që çmimi i naftës të zbritet 10 deri 12 centë. /Demokracia.com/