Drejtori i Departamentit për Amerikë, Albert Prenkaj, është larguar përfundimisht nga puna me vendim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Ani pse ai e kishte fituar rastin në Gjykatën Themelore të Prishtinës në shkallën e parë ndaj Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.
“Ndaj nëpunësit Albert Prenkaj, në vendin e punës Drejtor i Departamentit për Amerikë, i shqiptohet masa disiplinore “largim nga shërbimi civil”, thuhet në vendimin e MPJD-së të siguruar nga Demokracia.com.
Në mars të këtij viti, Prenkaj ishte pezulluar nga puna me vendim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Prenkajt po ashtu i ishte ndaluar hyrja në objektin e MPJD-së.
Vendimi për pezullimin e tij, ishte bërë përkundër që Gjykata Themelore e Prishtinës, më 20 mars, e kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e Alber Prenkajn kundër Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.
Pas pezullimit, Prenkaj kishte thënë se një vendim i tillë është i paligjshëm.
Ai kishte njoftuar se e kishte fituar rastin ndaj Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, në Gjykatën Themelore të Prishtinës në shkallën e parë.
“Dje e kam marrë vendimin e Gjykatës përmes përfaqësuesit. Aktgjykimi është që anulohet Vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës[KPM]. Kërkohet nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës që të nxjerrë vendim ligjërisht dhe meritor. Me këtë Aktgjykim bie Rregullorja e nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që nënkupton që mbizotëron Ligji mbi Shërbimin e Jashtëm [mbi rregulloren], që nënkupton që Ligji për Zyrtarët Publikë nuk është mbi Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, pra, që nënkupton se vendimet të cilat janë marrë përfshi në këtë rregullore, janë jokushtetuese”, kishte thënë Prenkaj. /Demokracia.com/