Lajme
DOKUMENT| Ministria pa ministër i “bën gati” 10 mijë euro për larje të xhipave
Demokracia
10:00 | 15 Nëntor 2022

Share:

Ministria e Shëndetësisë i ka bërë gati t’i shpenzojë 10 mijë euro për larjen e veturave. Në tenderin e shpallur është treguar se më këto para në autolarje do të dërgohen 192 xhipa dhe 1056 vetura të tjera.

Tash më shumë se një muaj, Ministria e Shëndetësisë nuk ka ministër. Vendin bosh e ka lënë Rifat Latifi, që ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i kësaj ministrie gati një vit pas emërimit të tij.

Në këtë institucion pa “zot shtëpie” është duke vazhduar puna, pothuajse normalisht.

Madje, po merren edhe me larjen e xhipave e veturave të tjera, shkruan Demokracia.com.

Tenderi për këtë shërbim është hapur tash e disa ditë dhe do të mbyllet në muajin e ardhshëm, kur edhe pritet të shpallet kompania fituese.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë treguar se vlera e këtij tenderi ka peshën e 10 mijë eurove.

“Shërbimet e Autolarjes. Vlera e parashikuar e kontratës: 10,000.00. Pastrimi brenda dhe jashtë i veturave (limuzina) 1056. Pastrimi brenda dhe jashtë i veturave (xhipa) 192”, thuhet në këtë njoftim.

Ky institucion ka treguar edhe disa kritere që duhet t’i plotësojë kompania fituese.

“Operatori Ekonomik duhet që të ketë Objektin – Punëtorinë për larjen e veturave jo më larg se 5 kilometra nga ndërtesa e Ministrisë së Shëndetësisë, Prishtinë, bazuar në rrugën më të afërt tokësore të asfaltuar. Të drejtë ofertimi kanë të gjithë Operatorët Ekonomikë, pa marrë parasysh se në cilin vend apo lokalitet kanë selinë e regjistrimit të kompanisë”, thuhet në njoftim, përcjell Demokracia.com.

Në fund është dhënë edhe një sqarim lidhur më shumën prej 10 mijë eurove që janë planifikuar për këtë tender. Në këtë sqarim, MSH ka thënë se këtë shumë të parave e kanë vendosë “vetëm për shkak të procedimin të këtij aktiviteti”, që nuk është e qartë çfarë kanë dashur të thonë.

“Vlera buxhetore e parashikuar për periudhën 36 mujore është 4,500.00 €. Në platformë vlera prej 10,000.00 është bërë për qëllim të procedimit të këtij aktiviteti në formë të kontratës kornizë”, thuhet në këtë sqarim, duke shtuar se vlera prej 10,000 eurove nuk duhet të merret parasysh nga kompanitë konkurruese, pasi që është “vetëm për çështje teknike të sistemit të prokurimit”.

Për këtë tender, kompanitë kanë të drejtë të konkurrojnë deri më datën 02.12.2022. /Demokracia.com/

Të ngjashme