Lajme
DOKUMENT| Ministria e Nagavcit blen libra me 2 milionë euro, shkollat mbesin mbyllur e mësimdhënësit në grevë
Demokracia
16:18 | 22 Shtator 2022

Share:

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që drejtohet nga Arbërie Nagavci po vazhdon të blejë libra për nxënësit, ndonëse shkollat tash e 22 ditë janë mbyllur. Për blerjen e këtyre librave janë paraparë të shpenzohen mbi 2 milionë euro.

Greva në arsim tashmë po hynë në javën e katërt, ndërkaq Qeveria dhe SBASHK-u nuk po e gjejnë zgjidhjen për tejkalimin e situatës dhe nisjen e vitit shkollor.

Në tërë këtë situatë nxënësit e sektorit publik kanë mbetur jashtë bankave shkollore, derisa është viti i tretë që procesi mësimor nuk është i rregullt, fillimisht për shkak të pandemisë dhe tash për shkak të grevës, shkruan Demokracia.com.

E derisa shkollat janë mbyllur e nxënësit kanë mbetur jashtë shkollave, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që drejtohet nga Arbërie Nagavci, po vazhdon të blejë libra.

Në tenderin e shpallur këto ditë është treguar se do të blihen edhe disa tekste shkollore për klasë të ndryshme.

“Blerja e teksteve shkollore për fazën e dytë për vitin shkollor 2022-2023 për klasën e pestë (5) dhe tekstet e tjera të mbetura të pa blera në fazën e parë, tekstet e komuniteteve boshnjake dhe turke për lëndët nacionale dhe të përkthyera si dhe tekstet për nxënësit e diasporës dhe mërgatës për nivelin (I-II-III)”, thuhet në njoftimin e shpallur, përcjell Demokracia.com.

Për blerjen e këtyre librave është paraparë të shpenzohen mbi 2 milionë euro, derisa fituese janë shpallur disa kompani.

Vetëm kompania “Dukagjini” është shpërblyer me 1 milion e 242 mijë euro.

“Blerja e teksteve shkollore për fazën e dytë, Dukagjini. Njoftim për dhënie te kontratës 6 / 9. Data e dhënies së kontratës 16.09.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 21.09.2022. Emri zyrtar: “Dukagjini” . Vlera e përgjithshme e kontratës 1 242 309,60 euro”.

Kurse, kompania “Albasi” ka fituar tenderin në vlerë të 353 mijë eurove.

“Vlera e përgjithshme e kontratës 353 701,66. Blerja e teksteve shkollore për fazën e dytë, Albasi. Data e dhënies së kontratës 16.09.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 21.09.2022. Emri zyrtar: Albas SH.P.K”.

Për blerjen e teksteve, një pjesë të tenderit e ka marrë edhe kompania “Pegu”, vlera e të cilit është mbi 300 mijë euro.

“Blerja e teksteve shkollore për fazën e dytë, Pegu. Vlera e përgjithshme e kontratës 303 647,26 euro. Data e dhënies së kontratës 16.09.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 21.09.2022. Njoftim për dhënie të kontratës 8 / 9. Emri zyrtar: Botimi Pegu”.

Po ashtu, pjesë e tenderit të blerjes së librave është edhe kompania “Berati”, që është shpërblyer me 13 mijë e 400 euro.

“Blerja e teksteve shkollore për fazën e dytë, Berati. Data e dhënies së kontratës 16.09.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 21.09.2022. Emri zyrtar: N.G.B.L. “Berati”. Vlera e përgjithshme e kontratës 13 411,80”.

Ndërkaq, kompania “Libri Shkollor” ka marrë një tender në vlerë të 88 mijë eurove për blerjen e disa librave, shkruan Demokracia.com.

“Blerja e teksteve shkollore për fazën e dytë, Libri shkollor. Data e dhënies së kontratës 16.09.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 21.09.2022. Emri zyrtar: Shtëpia Botuese Libri Shkollor. Vlera e përgjithshme e kontratës 88 677,40 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Greva në sektorin publik ka filluar më 25 gusht. Sindikalistët, ndër të tjerash, po kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.

SBASHK-u së fundmi ka dalë edhe me tri kërkesa të reja për Qeverinë e Kosovës. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka kërkuar që nga janari i vitit 2023 të ketë rritje prej 10 për qind të pagës për mësimdhënësit.

Ndërkohë, deri në janar, mësimdhënësit sikurse edhe shërbyesit tjerë publikë duhet të marrin shtesat prej 50 eurove që i ka premtuar Kurti me pakon e re mbështetëse.

Në pikën dy të kërkesës së SBASHK-ut kërkohet që të ndryshohet Ligji për Skemat Pensionale, kushti 15 vite përvojë punë dhe pika tre që deri në fund të vitit 2022 të fillojë së zbatuari Ligji për Sigurime Shëndetësore nga viti 2023.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme nga foltorja e Kuvendit ka thënë se opozita po e përdor grevën si armë kundër tij.

“Në thelb të gjithë kësaj është lloj mosnjohje kronike e rezultatit të 14 shkurtit të vitit të kaluar. Ky është problemi, por duhet të tejkalohet, nuk kam çfarë të të bëjë, populli ka votuar. Hallin këta e kanë që unë jam kryeministër e jo që nxënësit nuk po shkojnë në shkolla. Ky është halli kryesor, greva po përdoret si armë kundër kryeministrit. Ky është synimi i qartë që u shpalos nga këta dy deputetë sot”, tha Kurti./Demokracia.com/

Të ngjashme