Lajme
DOKUMENT| Ministria e Liburn Aliut shpenzon 70 mijë euro për larjen e veturave
Demokracia
10:40 | 01 Tetor 2022

Share:

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, do t’i shpenzojë 70 mijë euro për pastrimin e veturave. Në tenderin që është shpallur tregohet se në autolarje do të dërgohen 113 vetura dhe 46 xhipa.

Veturat e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që udhëhiqet nga Liburn Aliu, tash e tutje në rrugë do të dalin më të pastra.

Balten dhe pluhurin nga këto vetura ka vendosur ta largojë ky institucion përmes një tenderi të shpallur, shkruan Demokracia.com.

Për këtë tender janë parashikuar të shpenzohen 70 mijë euro. Derisa është treguar se me këto para do të pastrohen 113 vetura dhe 46 xhipa.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Pastrimi i veturave të MMPHI-së 113 vetura dhe 46 xhipa. Vlera e parashikuar e kontratës: 70 000,00”, thuhet në njoftim.

Në dosjen e tenderit janë dhënë edhe detaje lidhur me kompaninë që do të bëjë pastrimin e veturave.

“Operatori ekonomik duhet të dëshmoj se posedon si pronësi të veten apo me qera një vend për pastrimin e automjeteve dhe duhet te jete jo me larg se 2km nga ndërtesa e ish Pallatit te Rilindjes. Operatori ekonomik duhet të posedoj gjeneratorin dhe burimin e ujit”, thuhet aty, përcjell Demokracia.com.

Po ashtu, në dosje tregohet se kompania fituese duhet t’i ketë së paku 3 kabina.

“Operatori ekonomik duhet te ofroj dëshmi për posedimin e mjeteve, se paku 3 kabina për pastrimin e veturave, te dëshmuara me fotografi për secilën veç e veç”.

Ministria ka thënë se afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve është data 17.10.2022./Demokracia.com/

Të ngjashme