Lajme
DOKUMENT | Ministria e Kulturës kurdisi tenderin 6-milionësh, taktikisht e anuloi kur kundërligjshmëria u hetua
Demokracia
17:30 | 04 Mars 2024

Share:

Në mënyrë që punët të fillonin në pranverën e vitit 2024, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), e cila udhëhiqet nga ministri Hajrulla Çeku, në fund të vitit të kaluar me nguti e ka hapur tenderin për ndërtimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë. Për tenderin që peshon fiks 6 milionë euro ishte bërë thirrja më 12 dhjetor 2023. Pasi qëndroi i hapur afro tre muaj, ai është anuluar në fund të javës së kaluar me një arsyetim dyshues nga ana e MKRS-së, shkruan Demokracia.com.

Manipulimi i tenderëve nga institucionet publike nuk ka të ndalur. Edhe ndërtimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë për të cilën është ndarë një buxhet shumë i madh, tentoi të manipulohet nga prokurimi i MKRS-së. Të paktën kështu mund të thuhet nëse shikohen kriteret që u vendosën si kushte për kompanitë pjesëmarëse në garë. Disa nga to ishin krejt në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. Më fjalë të tjera janë vendosur aso kritere që i shkojnë për shtati kompanive të caktuara ose që diskriminojnë të tjera. Ligji i Prokurimit ka paraparë specifika që lejon gjithëpërfshirje dhe jo diskriminim për çdo garues ose kompani më serioze në këtë rast, meqë projekti ishte i madh.

Kompania “Raf II” shpk ishte e interesuar të garojë për këtë projekt. Por, ajo vërejti që ministria kishte vendosur disa kritere që favorizonte kompani të caktuar, andaj u ankua duke i kërkuar që t’i përmirësojë ato. Siç ka parë Demokracia.com, ministria ia rrezoi ankesën duke e lënë në fuqi vendimin e vet të ‘njoftimit për kontratë’. Në afatin e paraparë ligjor, “Raf II” është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), me pretendimin që ministria ka shkelur në pesë vende ligjin kur ka vendosur kriteret për këtë tender.

Por, çuditërisht, vetëm tri ditë pasi ishte ankuar, kompania “Raf II” kishte vendosur që të tërheqë ankesën nga OSHP-ja. Dhe, meqë ankesa ishte tërhequr, “Gjykata e tenderëve” nuk e angazhoi ekspertin e vet fare që të shoshiste provat, por e miratoi tërheqjen e ankesës dhe vendosi që të lërë në fuqi vendimin e ministrisë.

Bazuar në kriteret e vendosura dhe ankesën e kompanisë, si dhe legjislacionin sekondar dhe primar të prokurimit publik, Demokracia.com ka parë se shumica e ankesave qëndrojnë, pasi ato ishin favorizuese ose diskriminuese për operatorë të caktuar. Dhe, po të qëndronte në ankimim, kompania do të fitonte rastin dhe ministria do të detyrohej që të bënte korrigjimin e shumicës së dosjes së tenderit. P.sh., te kërkesat e kapacitetit teknik dhe profesional (9.1& 9.2 të FDT-së) lidhur me pajisjet teknike për realizimin e projektit janë përcaktuar pajisje teknike dhe dimensione fikse të cilat paraqesin shkelje të dispozitave ligjore, konkretisht favorizojnë kompani të caktuara. Ato nuk guxojnë të jenë fikse, por duhet të lihet një hapësira që dimensioni të jetë nga kaq deri në kaq. Pra, duhet të ketë minimumin dhe maksimumin.

Ndonëse nuk kishte më ankesë, ministria ka qenë e detyruar që më pas të hapë ofertat dhe t’i vlerësojë ato. Por, MKRS-ja, pasi e dinte që kriteret ishin të kundërligjshme dhe tashmë kishte një denoncim, ndonëse të tërhequr, ajo ka vendosur të bënte një tërheqje taktike duke e kaluar krejt tenderin, pasi e gjeti një vegëz ku të kapej.

Tenderi u anulua me arsyetimin se ka disa pengesa në faqen e e-prokurimit publik dhe për këtë ishte marrë edhe aprovimi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

Nga e gjithë kjo mund të shfaqet dyshimi se kompania ankuese ka rënë në ujdi me ministrinë që mos të shkohet me zvarritjen e procesit, i cili do të mbeste në OSHP edhe disa muaj, por të anulohej dhe me korrigjimet e nevojshme të shpallej menjëherë procedurë e re. Rëndom një kompani bën ujdi me një institucion publik, duke e shikuar interesin e vet financiar. Në këtë rast, interesi i kompanisë ankimore e cila është tërhequr nga ankesa është që të marrë punë nga ministria. Mbetet të shihet nëse kompania e njëjtë do të angazhohet në ndonjë projekt të natyrës së njëjtë nga ministria apo edhe në këtë projekt kur të inicohet procedura e re.

Më poshtë mund të shihni pretendimet e kompanisë ankuese, e cila është tërhequr nga ankesa e saj. /Demokracia.com/

 

Miratimi i OSHP-së për tërheqje të ankesës.

 

Njoftimi për anulim i MKRS-së (Këtu)

Të ngjashme