Lajme
DOKUMENT| Ministria e Donika Gërvallës një natë para Vitit të Ri u mor me BMW-të, dha tender mbi 32 mijë euro
Demokracia
18:04 | 03 Janar 2023

Share:

Veturat BMW të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga Donika Gërvalla, do të servisohen gjatë këtij viti, derisa tenderi në vlerë prej mbi 32 mijë eurosh është dhënë një natë para festës së Vitit të Ri. Gjatë muajit qershor, Demokracia.com kishte raportuar se disa vetura BMW të këtij institucioni ishin dërguar në Maqedoninë e Veriut, edhe pse BMW-ja kishte servis të autorizuar në Kosovë.

Një natë para ndërrimit të moteve, qytetarët e mbarë botës, por edhe kosovarët, ishin bërë gati për festë.

Megjithatë, me festimet e vitit të ri nuk është marrë edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga Donika Gërvalla. Në këtë institucion, “halli” më i madh ka qenë si të kryhet procedura e një tenderi, më të cilin ishin marrë përgjatë tërë vitit 2022.

Në ministrinë e Gërvalles, fiks më datën 30.12.2022 është dhënë tenderi për servisimin e disa veturave të ndryshme dhe tri BMW-ve, shkruan Demokracia.com.

“Servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve të MPJD-së në dy pjesë (LOTE). 11 automjete te 4 tipeve-llojeve. 3 automjete BMW”.

Në njoftimin e shpallur në e-prokurim është treguar se kontrata mes kompanisë fituese dhe MPJD-së do të nënshkruhet nesër, më 4 janar.

“Data e dhënies së kontratës 30.12.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 04.01.2023. Numri i tenderëve të pranuar: 4. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata – Mirsad Gashi B.I. Vlera e përgjithshme e kontratës 32,642.65 euro”, thuhet në njoftim.

Kjo kontratë është e ndarë në 2 (dy) pjesë (lote).

“Pjesa (LOT) 1: Servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve. Pjesa (LOT) 2: Servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve-BMW”.

Demokracia.com ka raportuar gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar se si kjo ministri kishte shpallur tenderin “Servisimi dhe mirëmbajtja e automjeteve të MPJD-së”.

DOKUMENT| BMW-të e Gërvallës përsëri bëhen për servisim, tash hap tender 50 mijë euro për “mjeshtër” në Kosovë – Demokracia

Në atë kohë, në njoftimin e shpallur tregohej se ky tender është ndarë në dy loto, ku për njërin është paraparë të shpenzohen 40 mijë euro dhe për tjetrin 10 mijë euro.

“Vlera e parashikuar e kontratës: 50,000.00. Lot 1, 11 automjeteve të 3 tipeve-llojeve. Lot 2, 3 automjete të tipit BMW. Tenderuesi mund të paraqesë tender për një apo të gjitha pjesët (lotet). Secila pjesë e lot-it është e shënuar në specifikacionet teknike. Numri maksimal i pjesëve (loteve) që do të mund të shpërblehet tek një tenderues është: 2 (dy) LOT 1: 40,000.00 €. LOT 2: 10,000.00 €”.

Demokracia.com, po ashtu, kishte raportuar në muajin qershor të vitit 2022 se veturat e shumëpërfolura BMW të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga Donika Gërvalla, janë dërguar për servisim në Maqedoninë e Veriut. Servisimi i tyre nuk ishte bërë në Kosovë, edhe pse BMW-ja ka servis të autorizuar.

FOTO| Ministria e Gërvallës i çoi BMW-të e famshme për servisim në Maqedoninë e Veriut, jo te djemtë e Isa Mustafës – Demokracia

Në atë kohë janë publikuar edhe fotografitë e siguruara të këtyre veturave nga servisi në Maqedoninë e Veriut.

Blerja e këtyre veturave BMW nga MPJ në kohën e ish-ministrit Behgjet Pacolli kishte prodhuar reagime të shumta publike vite më parë. Ndërsa, ish-ministri Glauk Konjufca, tani kryeparlamentar, kishte paralajmëruar se do ta hetonte procesin e blerjes së tyre. /Demokracia.com/

Të ngjashme