Një veprim i paparë më herët në institucionet publike ka ndodhur në Ministrinë e Ekonomisë, e cila udhëhiqet nga Artane Rizvanolli. Kjo ministri pritet të angazhojë shërbyes civilë, duke aplikuar prokura të prokurimit publik, shkruan Demokracia.com.
Dështimin e vet për të përzgjedhur një Zyrtar për Komunikim me Publikun nëpërmjet procedurave për shërbimin civil, Ministria e Ekonomisë po tenton ta mbulojë me tender.
“Angazhim të një Eksperti për Multimedia Ritenderim II”. Kështu është titulli i tenderit në të cilin është rekomanduar për kontratë, Qendrim Isufi. Ky person do të funksionojë njëjtë sikurse dy kolegët e vet që do t’i ketë në zyrë si shërbyes civil në Divizionin për Komunikim me Publikun.
Përse procedoi më tender në këtë rast, ministria ka dhënë arsyetimin e vet.
“Divizioni për Komunikim me Publikun momentalisht funksionon me 2 nëpunës ku ka mungesë të stafit konkretisht 2 zyrtarë prej të cilëve 1 pozitë është e lirë për të cilën momentalisht nuk mund të shpallet sepse ka kaluar të gjitha procedurat e brendshme dhe procesi tanimë ka kaluar tek Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës”, thuhet në përshkrimin e lëndës së kontratës të cilin e ka parë Demokracia.com.
Vlera e përgjithshme e kontratës do të jetë 8,940.00 euro, me një kohëzgjatje prej 12 muajve. Ndryshe, nga dy kolegët që do t’i ketë në zyre, Isufi do të ketë pagë më të madhe, ngase ata trajtohen me koeficientin e Ligjit për Paga.
Kontrata nuk është nënshkruar akoma, pasi që në garë kanë qenë katër persona dhe lënda ndodhet në kohën e ankimimit. /Demokracia.com/