Lajme
DOKUMENT| Mbesën e ish-deputetit Haxhi Shala e largojnë nga puna në ministrinë e Rozeta Hajdarit
Demokracia
10:34 | 02 Qershor 2022

Share:

Katër vite pasi e kishte marrë pozitën e zyrtares së lartë për ekzaminim në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mbesës së ish-deputetit Haxhi Shala, Donjeta Bytyqit, i është shkëputur kontrata e punës.

Arsyeja e shkëputjes së kontratës, sipas MINT-it, është se Bytyqi nuk e kishte plotësuar kriterin e kërkuar me ligj, por përkundur kësaj, komisioni i ministrisë e kishte përzgjedhur emrin e saj.

Një kundërkandidate e Bytyqit kishte bërë ankesë në gjykatë qysh në vitin 2018 dhe tek tash gjykata i ka dhënë të drejtë palës tjetër, duke detyruar ministrinë ta anulojë konkursin e shpallur në vitin 2018.

Demokracia.com ka siguruar vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku është anuluar vendimi i vitit 2018-të. Në vendim thuhet se anulimi i këtij konkursi bazohet në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

“Anulohet konkursi i jashtëm i shpallur me datë 04.12.2018, pozita Zyrtar i Lartë për Ekzaminim në Agjencinë e Pronësisë Industriale, si dhe të gjitha vendimet që rrjedhin nga kjo procedurë. Anulimi mbështetet në vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës më nr. Protokolli 3281-02 të pranuar në Ministrinë e Industrisë me datë 30.052022”, thuhet në vendimin MINT-it, raporton Demokracia.com.

Avokati i Donjeta Bytyqit për Demokracia.com ka treguar për procedurat që do t’i ndjek për klienten e saj.

“Një qytetar i Republikës së Kosovës është zgjedhur me konkurs në Administratën Publike nga një komision zyrtar i Qeverisë, në kuadër të administratës dhe i ka kaluar të gjitha procedurat. Madje, ka kaluar përvojën e punës mbi 3 vjet, ka pasur aktemërim me ligjet e Kosovës për shërbyesit civil ose për zyrtarët publikë. Ajo nuk e ka asnjë faj pse dikush ka fituar një ankesë në procedurë gjyqësore”, ka thënë avokati i saj, Xhevdet Smakiqi.

Ai vlerëson se klientes së tij i janë shkelur të drejtat themelore njerëzore, kurse largimin nga puna e quan si vendim të motivuar politikisht.

“Donjeta Bytyqit i janë shkelur të gjitha të drejtat themelore njerëzore me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sepse ajo nuk e ka emëruar vetveten, nuk e ka përzgjedhur vetveten, nuk ia ka lëshuar aktemërimin vetvetes. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore për palën ankuese në këtë konkurs konsideroj që nuk duhet të përcillet me ndërprerje të marrëdhënies së punës për Donjeta Bytyqin. Ne do t’i përdorim të gjitha mjetet juridike, siç janë padia në konflikt administrativ pranë gjykatës dhe do të kërkojmë masë të përkohshme për ndalimin e ekzekutimin të këtij vendimi të kundërligjshëm dhe të motivuar politikisht, sepse Donjeta Bytyqi vazhdimisht është përmendur në media se është në raporte familjare me ish-deputetin Haxhi Shala”, ka thënë ai, duke treguar se do të ushtrojë edhe kallëzim penal për sekretarin e MINT.

Ndërsa, i kontaktuar nga Demokracia.com, ish-deputeti Haxhi Shala nuk ka dashur të komentojë rreth largimit të mbesës së tij nga ky dikaster qeveritar. /Demokracia.com/

Të ngjashme