Lajme
DOKUMENT| Martin Berishaj angazhon pa konkurs një punëtore për t’i monitoruar mediat se çka shkruajnë për skandalet e tij
Demokracia
09:38 | 10 Nëntor 2022

Share:

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka qenë muajt e fundit njëri prej zyrtarëve të shtetit që ka prodhuar më së shumti skandale.

Aferat e tij shpeshherë kanë zënë ballinat e mediave të Kosovës dhe rajonit, shkruan Demokracia.com.

Dyshimet për përfshirje në një skandal të madh financiar me një kompani serbe për shitblerjen e energjisë duke shërbyer si ‘mushkë’ për pastrimin e parave, fshehja dhe mosdeklarimi i pasurisë dhe nisja e hetimeve për të, e kanë detyruar ambasadorin e preferuar të pushtetarëve që ta punësojë një punëtore vetëm për monitorimin e mediave.

Berishaj tash e ka më lehtë që t’i grumbullojë të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me skandalet e tij. Por, punësimin e kësaj zyrtareje, Martin Berishaj e bëri pa hapur fare konkurs.

Demokracia.com e ka siguruar kontratën për angazhimin e Diana Rexhepit në këtë ambasadë.

Punësimi i saj është bërë fillimisht për tre muaj.

“Me këtë kontratë, ambasada e Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, angazhon zonjën Diana Rexhepi për monitorim, përkthim dhe përpunim të mediave nga Kroacia, Bosnje e Hercegovina, rajoni dhe më gjerë për Ambasadën në Zagreb”, thuhet në dokument, përcjell Demokracia.com.

Aty thuhet se ofrimi i shërbimeve të monitorimi të shtypit do të bëhet sipas nevojës, çdo ditë, ndërsa raporti javor do të përgatitet çdo të premte.

Kontrata lidhet fillimisht për një periudhë provuese tremujore, me mundësi vazhdimi me një Anex Kontratë.

“Kontrata lidhet për ofrimin e shërbimeve me pagesë 2000 kuna në muaj. Pagesa bëhet çdo fund muaji për muajin paraprak. Data e fillimit të punës sipas kësaj kontrate do të jetë 01.09.2022”.

Por, duket se njohja e tyre është e kamotshme. Ajo në vitin 2016 e kishte etiketuar Berishajn në një postim, ku shkruante kundër ish-presidentit Hashim Thaçi. /Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme