Lajme
DOKUMENT| Loja e zyrës së Kurtit me tenderë, nuk i blen mobiljet më nga pronari i “Mobelland”, por tash nga kompania e djalit të tij
Demokracia
16:39 | 09 Mars 2023

Share:

Zyra e Kryeministrit, Albin Kurti, ka nënshkruar kontratë për blerjen e disa mobilieve. Megjithatë, ajo çka është e çuditshme në këtë kontratë është se Zyra e Kryeministrit i ka dhënë tender një kompanie, e cila sapo është regjistruar në ARBK.

Demokracia.com ka parë që kompania fituese “SRAHEP SH.P.K.” për furnizimin me mobilje në Zyrën e Kryeministrit është regjistruar si biznes tek në shkurt të këtij viti. Por, siç ka mësuar Demokracia.com, kjo kompani që figuron në ARBK nga shkurti i këtij viti, në fakt është kompania e djalit të pronarit të “Mobelland” nga Suhareka, e cila në të kaluarën kishte marrë tenderë nga Zyra e Kurtit.

Ashtu siç mund të shihet në ARBK, pronar i kompanisë “Mobelland” është Rizah Morina, ndërsa pronar i “SRAHEP SH.P.K.” është djali i tij, Ardian Morina.

“SRAHEP SH.P.K” së fundmi është regjistruar si kompani me adresë në Prishtinë.

Demokracia.com ka kontaktuar edhe me Ardian Morinën, pronarin e “SRAHEP SH.P.K”, për ta pyetur se çfarë lidhje ka me pronarin e “Mobelland”, megjithatë ai ka mohuar se kanë ndonjë lidhje.

“Jo, jo nuk kemi asnjë lidhje me atë kompani”, ka thënë Morina për Demokracia.com.

Po ashtu, Demokracia.com ka parë se për këtë tender ka aplikuar edhe kompania e Rizah Morinës “Mobelland, e cila kishte vendosur çmimin më të lartë se kompania e djalit të tij.

“Mobelland” kishte vendosur çmimin 8 mijë e 640 euro dhe kësisoj nuk ishte shpallur fituese, ndërsa “SRAHEP” e ka vendosur çmimin më të lirë 6 mijë e 150 euro dhe kësisoj është shpallur fituese e tenderit.

Demokracia.com ka kontaktuar edhe me Rizah Morinën për ta pyetur për lidhjen me Ardian Morinën, megjithatë i njëjti e ka ndalur telefonin.

Ndërkohë, për furnizim me mobilie, Zyra e Kurit do të shpenzojë mbi 6 mijë euro. Në zyrën e Albin Kurtit do të vendoset një set (3+2+1), tavolinë dhe karrige, derisa tenderi i është besuar kompanisë “SRAHEP SH.P.K”, shkruan Demokracia.com

Në dosjen e tenderit është treguar se do të blihen 20 karrige të ndryshme, një tavolinë e mesit dhe një set me kolltukë.

“Qëllimi i kësaj kontrate: Furnizimi me mobile (set ulësesh 3+2+1, tavolinë dhe karrige lëkure) sipas specifikave të përshkruara ne Aneksin 1..4 Specifikimet e detyrueshme teknike. Duhet të jenë plotësisht në pajtueshmëri me specifikimet teknike të parashtruara në dosje të tenderit. Vendi për ofrimin e furnizimeve është: Objekti i Qeverisë, Zyra e Kryeministrit. Afati i liferimit të mallit nuk duhet të jetë më i gjatë se 7 shtatë ditë kalendarike. Kontrata përfundon 30 ditë pas nënshkrimit të saj”, thuhet në dosjen e tenderit.

Hiç më larg se në korrik të vitit të kaluar, Zyra e Kurtit kishte blerë karrige të reja në vlerë prej 9 mijë euro, derisa tenderi i ishte besuar kompanisë “Mobelland” nga Suhareka. /Demokracia.com/

DOKUMENT| Zyra e kryeministrit Kurti e shton komoditetin, shpenzon 9 mijë euro për karrige

 

 

 

Të ngjashme