Gjykata Kushtetuese ua ka njohur kontributin personave që janë larguar nga puna në vitet e 90-ta duke gjetur shkelje në ligjin për skema pensionale ku shteti ua njeh kontributet vetëm personave që kanë 15 vjet përvojë pune.
Kriteri që pensionistët t’i kenë 15 vjet përvojë pune para luftës në mënyrë që t`u njihen kontributet pensionale, tash e një kohë të gjatë ka ngritur reagime në masë.
Por përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti nuk mori mbështetjen e deputetëve të Vetëvendosjes në seancën e së mërkurës.
Prej 61 deputetëve sa morën pjesë në votim 25 ishin për, 32 deputetë kundër dhe 4 abstenime, shkruan Demokracia.com.
Neni 8 i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti është vlerësuar kundërkushtetues nga Gjykata pas parashtrimit nga Gjykata Supreme.
“Gjykata, njëzëri, vendosi që kërkesa është e pranueshme dhe paragrafi 2 i nenit 8 të Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti në lidhje me nën-paragrafin 2.3 të paragrafit 2 të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr.09/2015 për “Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve-Stazhit Pensional”, nuk janë në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe nenin 1 (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit) të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në vendim.
Demokracia.com ka siguruar vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim i është dërguar tashmë kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Kushtetuesja e ka urdhëruar Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës që jo më larg se deri më 15 korrik 2023, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti në pajtim më Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim.
Ky është Aktgjykimi i Plotë i Gjykatës Kushtetuese: