Lajme
DOKUMENT| Ky është arsyetimi i Zyrës Ligjore të Hekuran Muratit për ndalimin e pagave të grevistëve
Demokracia
16:14 | 30 Gusht 2022

Share:

Punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, nuk do ta marrin pagën e plotë nga Qeveria e Kosovës, ka thënë ministri Hekuran Murati. Për këtë, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar padi ndaj ministrit Murati. Por, çka thotë Zyra Ligjore e Ministrisë së Financave për grevën dhe ndalimin e pagave?

Janë bërë pesë ditë që kur në grevë kanë hyrë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.

Çështja e pagave dhe pagesa për grevistët tashmë ka kaluar edhe në kërcënime nga ana e shtetit për sindikalistët, shkruan Demokracia.com.

Në një konferencë për media të hënën, ministri Hekuran Murati ka thënë se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, për pesë vjet ka mbledhur fond prej 3.2 milionë eurosh në emër të anëtarësisë dhe me këto mjete do të duhej t’i paguante punëtorët e arsimit nëse i thërret për grevë.

“Në pesë vjetët e fundit, SBASHK-u nga thesari, pra janë mjete që kanë dalë nga pagat e punëtorëve të arsimit me urdhër të SBASHK-ut dhe i janë transferuar SBASHK-ut në llogari, për pesë vjetët e fundit janë 3.148.721 euro. Pra, janë gati 3.2 milionë euro që pesë vjetët e fundit SBASHK-u i ka marrë në emër të anëtarësisë dhe pyetja që do të duhej të shtrohej është se çfarë ka ndodhur me këto mjete? Ky është fondi që do të shfrytëzohej për t’i paguar punëtorët e arsimit, nëse SBASHK-u do t’i ftonte në grevë”, ka thënë Murati.

Ai tutje ka treguar se punëtorët e sektorit publik që janë në grevë nuk do marrin pagën e plotë nga Qeveria e Kosovës, duke u thirrur në nenin 18 të Ligjit për Greva, i cili thotë se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.

Por, sipas Ligjit për Greva, ndërprerja ose largimi nga marrëdhënia e punës për shkak të pjesëmarrjes në një grevë të ligjshme është i kundërligjshëm.

E pikërisht për këtë ligj dhe këto dy nene, gjatë ditës së djeshme, Thesari i Kosovës dhe Zyra Ligjore e Ministrisë së Financave kanë pasur një komunikim zyrtar, duke bërë interpretimin e Ligjit të Grevave.

Në dokumentin që ka siguruar Demokracia.com tregohet se Zyra e Ligjore e Ministrisë së Financave i jep sqarime Thesarit për ndalimin e pagave për grevistët.

Duke bërë interpretimin e këtij ligji dhe duke i thirrur në nenin 18, Zyra Ligjore e Ministrisë së Financave ka konstatuar se pagesa për grevistët do të ndalet për ditët që janë në grevë.

Tutje thuhet se “Zbritjet e pagave për ditët e grevës nuk shkaktojnë asnjë kundërshtim nga pika e këndvështrimit të parimeve të lirisë së asocimit”.

Zyra Ligjore e MF-së thotë se mospagesa e pagave që korrespondon me periudhën e grevës është thjesht pasojë e mungesës së punës dhe jo sanksion.

“… prandaj , zbritja e pagave për ditët e grevës nuk ngrenë probleme përputhshmëria me Kontratën. Në fund të fundit, pagesa e pagave për punëtorët në grevë është një çështje e përshtatshme për negociatat ndërmjet palave të interesuara”, thuhet aty, përcjell Demokracia.com.

Kurse, në një nen tjetër të këtij dokumenti, që i referohet Ligjit të Grevave, Zyra Ligjore e MF-së tregon se sindikalistët kanë të drejtë të hynë në grevë dhe të kërkojnë të drejtën e tyre.

“Organizatat sindikale, apo gjysma e të punësuarve të një organizate të caktuar punuese, ku nuk ka organizim sindikal, kanë të drejtë të organizojnë greva, për t’i mbrojtur interesat e tyre ekonomike, sociale dhe profesionale”.

Po ashtu, tregohet se me këtë ligj rregullohen dhe mbrohen të drejtat e punëtorëve që futen në grevë, duke specifikuar hollësisht sesi të mbrohet një grevist.

“Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës”, thuhet në dokument.

Tutje në dokument, Zyra Ligjore ka treguar se “Greva si e drejtë e garantuar nënkupton të drejtën për ndërprerje të organizuar të punës nga ana e të punësuarve me qëllimin e realizimit të të drejtave dhe interesave ekonomike, sociale dhe profesionale nga marrëdhënia e punës. Prandaj natyra e kërkesave të ndjekura limitohet vetëm me aspektet që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës”.

Gjatë ditës së sotme, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj, njëherësh kryetar i Këshillit Grevist të BSPK-së, në një konferencë për media ka paralajmëruar padi ndaj ministrit Hekuran Murati, duke e quajtur skandaloze deklaratën se do t’i pezullojë mëditjet nga paga për grevistët.

Jasharaj tha se deklarata e tillë skandaloze ka tendenca të ngjallë frikë dhe të shtypë zërin sindikal.

“… Një letër që doli nga u.d i sekretarit ja falëm, por kur doli zotëri Hekuran Murati që e kemi lutur me muaj të tërë për dialog dhe tha se paska guxim të tentojë të ngulfat zërin sindikal… ai si duket nga krenaria nuk e ka lexuar Ligjin për Grevat… grevat e ligjshme i garanton ligji dhe nuk ka të drejtë asnjë cent t’ia ndal grevistëve. E kemi vlerësuar deklaratën e Muratit dhe ka krijuar shqetësime dhe ne do të kemi reagimin me kohë dhe ekspertët e fushës së drejtësisë janë në konsultime dhe do të insistoj të përgatitet lënda dhe do të drejtohet ndaj ministrit Hekuran Murati, i cili në vend që të jetë zë i qeverisë në emër të uljes së tensioneve, ai kërcënon për të frikësuar dhe ngulfatur zërin e grevistëve. I kujtoj Hekuranit që është në moshë të re se gjëra të tilla nuk kanë ndodhur që nga paslufta”, tha kreu i SBASHK-ut.

Ai tha se nëse vazhdohet në këtë mënyrë, atëherë fatkeqësisht 1 shtatori do t’i gjejë nxënësit në shtëpi dhe jo në banka shkollore.

Që nga 25 gushti, në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Kërkesa kyçe e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.

Së fundmi, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka hartuar Projektligjin për Pagat. Ky projektligj duhet të kalojë në procedurat e konsultimeve paraprake e publike dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend, të publikohet në Gazetën Zyrtare të Kosovës./Demokracia.com/

Të ngjashme