Lajme
DOKUMENT | Kushëriri i anëtares së komisionit në KEK e fiton tenderin për ngarkimin dhe transportin qymyrit
Demokracia
17:06 | 20 Tetor 2022

Share:

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) tashmë e ka përzgjedhur kompaninë për procesin e ngarkimit dhe transportimit të qymyrit të shitur për qytetarë dhe biznese.

Procesi i shitjes së qymyrit për qytetarë dhe biznese nga Korporata Energjetike e Kosovës ka filluar gjatë ditës së sotme.

Për këtë, KEK kishte ndarë një sasi prej rreth 150,000 ton qymyr në minierën e Sibovcit Jug-Perëndim dhe ky proces është planifikuar të kryhet brenda 60 ditëve kalendarike, shkruan Demokracia.com.

“KEK ju njofton se sasia për amvisëri/qytetar është e limituar në një kamion prej 10 ton. Për më tepër, KEK ka caktuar çmimin prej 15 € për amvisëri ndërsa 20 € për biznese për një ton qymyr me TVSh, pa përfshirë koston e ngarkimit dhe transportit. Procesi i ngarkimit dhe transportit do të kryhet nga një Operator Ekonomik (OE) i përzgjedhur nga KEK dhe nuk mund të kalojë koston e ngarkimit prej 30 € për kamion dhe shumën prej 2.40 € për km për transport”, thuhej në njoftimin e KEK-ut më 16 tetor të këtij viti.

Por, tashmë është përzgjedhur edhe kompania fituese dhe ajo është “GËRGURI R”, kompani kjo që ka ofertuar me 2.25 euro në kilometër për trasportim.

Demokracia.com ka siguruar procesverbalin e hapjes së ofertave, ku shihet se pjesë e komisionit kanë qenë Ibrahim Simnica, Fatbardh Dabinovci dhe Mirvete Gërguri.

Kompania e përzgjedhur si fituese nga ky komision në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) ka për pronar Remzi Gërgurin, i cili rezulton të jetë kushëri i anëtares së komisionit, Mirvete Gërgurit.

Demokracia.com ka kontaktuar sot gjatë ditës me Mirvete Gërgurin, e cila e ka pranuar se e ka kushëri Remzi Gërgurin, duke thënë se nuk e ka familjar, por vetëm kushëri.

“Faktikisht, mbiemrin e kemi të njëjtë. Kushëri është, mbiemri është i njëjtë, vendlindja është e njëjtë, por familjar i ngushtë nuk është. Kur po flasim për qet kompani, unë i kam vetëm kushëri, jo familjarë”, ka thënë Mirvete Gërguri për Demokracia.com.

Pavarësisht insistimit për të marrë përgjigje nëse ka qenë konflikt interesi, Mirvete Gërguri ka insistuar se nuk e ka familjar Remzi Gërgurin.

“Nuk është familjar, është kushëri”, u shpreh ajo.

Demokracia.com, po ashtu, ka kontaktuar edhe me Remzi Gërgurin, i cili fillimisht ka pranuar të flasë, por në momentin që është pyetur nëse ka ndikuar Mirvete Gërguri që kompania e tij ta fitonte këtë tender, ai e ka mbyllur telefonin.

Redaksia i ka dërguar edhe SMS, por deri në publikimin e këtij shkrimi, Remzi Gërguri nuk është përgjigjur.

Gjatë ditës së sotme, Demokracia.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e KEK-ut, Skender Bucollin, i cili ka premtuar se gjatë ditës do të kthej përgjigje.

Sipas procesverbalit që ka siguruar Demokracia.com, përveç që kompania e kushëririt të Mirvete Gërgurit është shpallur fituese, tek njëra nga katër kompanitë që kanë ofertuar, përkatësisht tek kompania “Zysjken Trans”, tek çmimi i transportit të qymyrit për 1 kilometër vërehet një modifikim mbi çmimin e parë të ofertuar, për të cilin është kërkuar gjithashtu sqarime nga KEK-u.

Demokracia.com ka mësuar se kompanive të tjera që kanë qenë ofertuese në këtë tender nuk u është dhënë asnjë informacion nga KEK-u, pavarësisht se në fillim u kishin premtuar se do të njoftohen për çdo gjë rreth këtij procesi. /Demokracia.com/

Të ngjashme