Në fillim të tetorit të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti e kishte emëruar Flamur Salihun Zëvendësues të Inspektorit të Përgjithshëm. Salihu njihet për afërsinë me Lëvizjen Vetëvendosje.
Salihu, i cili ishte Udhëheqës i Divizionit për Komunikim dhe Informim në Zyrën e Kryeministrit, nga 7 tetori i vitit të kaluar mbante pozitën e Zëvendësuesit të Inspektorit të Përgjithshëm për fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive.
Salihu më herët në një dokument intern u kishte kërkuar ministrive që ta caktonin nga një zyrtar të përhershëm për Fake News.
Por Salihu nuk ka qëndruar në këtë pozitë as tre muaj të plotë. Ai më 30 dhjetor ka dhënë dorëheqje nga pozita e Zëvendësuesit të Inspektorit të Përgjithshëm. Në letrën e dorëheqjen që e ka siguruar Demokracia.com, Salihu e njofton Kurtin se tërhiqet edhe nga Shërbimi Civil i Kosovës.
“Nëpërmjet kësaj letre, ju njoftoj se jap dorëheqje nga pozita e Zëvendësuesit të Inspektoratit të Përgjithshëm, dhe njëherit tërhiqem nga Shërbimi Civil I Kosovës. Ditët e mbetura të pushimit vjetor nga viti 2022 do t’i shfrytëzoj gjatë kësaj periudhë të mbetur. Rrjedhimisht, dita ime e fundit në ZKM (Zyra e Kryeministrit) është 31 janar, 2023”, thuhet në letrën e dorëheqjes së Salihut, por pa përmendur arsyet e largimit.
E në vend të Salihut, Kurti sot e ka emëruar Lyra Osmanin.
Demokracia.com. ka siguruar vendimin për emërimin e saj.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 94 93) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 32(4) të Ligjit Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publikë. Dhe nenin 6 92.10 të Rregullores (QRK)-Nr 02/2021 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, e ndryshuar dhe plotësuar me (QRK) Mr.04/2021 dhe Rregulloren (QRK) Nr.03/2022, nxjerr: VENDIM – Znj. Lyra Osmani, Auditore e Brendshme në Zyrën e Kryeministrit, caktohet Zëvendësuese e Inspektorit të Përgjithshëm në Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti. /Demokracia.com/
LEXONI EDHE:
DOKUMENT| Qeveria Kurti e krijon një pozitë të re nëpër ministri, zyrtar për “Fake News”
DOKUMENT| Kurti e bën U.D. Inspektor të Përgjithshëm militantin e vet të rrjeteve sociale
https://demokracia.com/dokument-kurti-emeron-lyra-osmani-zevendesuese-te-inspektorit-te-pergjithshem/