Lajme
DOKUMENT| Kurti iu ndihmon “oligarkëve” ta luftojnë inflacionin, i shkel sërish të vegjlit
Demokracia
11:15 | 07 Shtator 2022

Share:

Rritja e çmimeve në Kosovë nuk ka të ndalur. Inflacioni në produktet ushqimore në Kosovë ka shkuar në mbi 19 për qind.

Qeveria Kurti nuk ka bërë pothuajse asgjë për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.

Për t’i ndihmuar qytetarët nga inflacioni, kryeministri Albin Kurti dhe ministri Hekuran Murati kanë shpalosur vetëm një pako, e cila nga shumë njohës të ekonomisë u cilësua si “social”.

E në kuadër të kësaj pakoje u prezantua edhe Projektligji për Punë Publike për kompensimin e inflacionit për materiale ndërtimore dhe punë përcjellëse, shkruan Demokracia.com.

Por, Kurti ka menduar që t’u ndihmojë për ta luftuar inflacionin vetëm një grupi të bizneseve.

Qeveria e Albin Kurtit do t’i ndihmojë vetëm kompanitë që do të fitojnë tendere nga institucionet e Kosovës dhe atë vetëm me vlerë të mesme dhe të larta, jo me vlera të vogla.

Për ta bërë këtë, Kosova po bëhet për herë të parë me Ligjin për Mbështetjen e Punëve Publike.

Qeveria e Kosovës ka hartuar një projektligj që shpejt pritet t’i dërgohet Kuvendit për miratim.

Ky mund të jetë një prej ligjeve më afatshkurtër, shkruan Demokracia.com.

Nëpërmjet këtij projektligji, Qeveria e Kosovës po e ndërton një mekanizëm për kompensimin deri në një masë të caktuar të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore dhe punëve përcjellëse në kontratat për punë të lidhura në mes të Autoriteteve Kontraktuese dhe Operatorëve Ekonomikë konform Ligjit përkatës për Prokurim Publik.

Ky ligj do të zbatohet vetëm për kontratat aktive të punës të lidhura para datës 1 prill 2022, konform procedurave të Ligjit për Prokurimin Publik.

Kompensimi për inflacionin realizohet vetëm për materialet ndërtimore të cilat janë ndikuar nga inflacioni. Kjo listë e materialeve ndërtimore përfshin: Bitumin dhe emulzionin, çimenton, hekurin dhe nënproduktet e tij, gypat plastikë dhe gypat e betonit, zhavorrin dhe aluminin, bakrin dhe zinkun.

Kompensimi për inflacionin realizohet edhe për punët përcjellëse, si makineritë, fuqia punëtore dhe të tjera, shkruan Demokracia.com.

Të drejtë për kompensim për inflacion kanë operatorët ekonomikë të cilët dëshmojnë se materialet ndërtimore janë pjesë e kontratës nga kategoria e përmendur më lartë dhe kanë pësuar rritje të çmimeve.

Ky ligj zbatohet vetëm për kontratat aktive të punës me vlerë të mesme dhe të madhe, të lidhura në mes të Autoritetit Kontraktues dhe Operatorit Ekonomik.

Ligji ka efekt vetëm për punët e certifikuara dhe faturat e dorëzuara nga Operatori Ekonomik të Autoriteti Kontraktues prej hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri më 15 dhjetor 2022.

Nga kompensimi për inflacion, sipas këtij ligji, përjashtohen të gjitha kontratat e punës të cilat janë shkëputur ose janë subjekt i procedurave gjyqësore për anulim, ndryshim të çmimit apo të ngjashme.

Përqindja maksimale e kompensimit për punët përcjellëse nuk mund të kalojë vlerën e inflacionit, sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit të publikuar nga Agjencia për Statistika.

Pavarësisht normës për kompensim të përcaktuar sipas formularit, norma për kompensim nuk mund të kalojë 20 për qind të vlerës totale të faturës bazë. /Demokracia.com/

Të ngjashme