Kryeministri Albin Kurti e ka emëruar sot Lyra Osmanin Zëvendësuese të Inspektorit të Përgjithshëm.
Demokracia.com. ka siguruar vendimin për emërimin e saj. “Kryeministri i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 94 93) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 32(4) të Ligjit Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publikë. Dhe nenin 6 92.10 të Rregullores (QRK)-Nr 02/2021 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, e ndryshuar dhe plotësuar me (QRK) Mr.04/2021 dhe Rregulloren (QRK) Nr.03/2022, nxjerr: VENDIM – Znj. Lyra Osmani, Auditore e Brendshme në Zyrën e Kryeministrit, caktohet Zëvendësuese e Inspektorit të Përgjithshëm në Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti.
Kjo pozitë derivon nga Ligji për Inspektimet, i cili kishte si qëllim që t’i përcaktojë parimet e inspektimit, themelimin e Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm.
Sipas këtij Ligji, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm ka funksionet si në vijim: udhëheq programin e reformës së inspektimeve në Republikën e Kosovës, mbështetë ministritë përgjegjëse, komunat, agjencitë ekzekutive ose agjencitë rregullatore për mbikëqyrjen e performancës së organeve në kuadër të tyre; koordinon dhe mbështet aktivitetet e organeve inspektuese me synim përfundimtar zvogëlimin e barrës administrative mbi subjektin e inspektimit, duke përfshirë koordinimin e inspektimeve të përbashkëta në terren nga organet inspektuese kur Qeveria miraton inspektime tematike; jep mendime mbi planet vjetore të organeve inspektuese, të cilat miratohen nga ministritë ose komunat përkatëse.
Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm udhëhiqet nga Inspektori i Përgjithshëm, i cili emërohet dhe ka statusin e njëjtë sikurse të drejtorit ekzekutiv të agjencisë ekzekutive sipas ligjit përkatës për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura. Kjo zyrë për punën e saj i raporton Kryeministrit. Me kërkesë të Kryeministrit dhe për të mbështetur koordinimin më të mirë ndërmjet organeve inspektuese, Qeveria mund të krijojë një komision ndërministror, të cilit Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm gjithashtu i raporton të paktën çdo gjashtë (6) muaj. /Demokracia.com/