Lajme
DOKUMENT| Kurti e Bislimi ua financuan këshilltarëve të tyre kundërligjshëm kursin në Harvard, u lejohet vetëm shërbyesve civilë
Demokracia
15:00 | 14 Maj 2022

Share:

Qeveria Kurti ka paguar hiç më pak se 26 mijë e 600 dollarë për një program online në Universitetin e Harvardit për shtatë zyrtarë qeveritarë. Shumica prej atyre që e kanë ndjekur këtë kurs janë të emëruar politik, përfshirë këtu edhe shefin e stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipin.

Megjithatë, financimi i trajnimeve nuk u mundësohet edhe stafit politik, pasi që prej tyre nuk përfiton institucioni, ngaqë janë të përkohshëm. Këshilltarët politikë vlerësohen si njerëz që e kanë përvojën dhe nuk kanë nevojë për financim të shkollimit të tyre, shkruan Demokracia.com.

Këtë çështje e rregullon Ligji për Zyrtarët Publik, por aty askund nuk precizohet që u mundësohet edhe nëpunësve të kabineteve politike, sikurse në rastin e këshilltarëve të Kurtit e Bislimit.

Sipas nenit 76 të këtij ligji, marrëdhënia e punës e zyrtarit të kabinetit është marrëdhënie besimi me titullarin e kabinetit të cilit i shërben zyrtari.

“Punëdhënës në këtë marrëdhënie pune është shteti i përfaqësuar nëpërmjet titullarit të kabinetit”, thuhet në këtë ligj për nëpunësit e kabineteve politike, raporton Demokracia.com.

Ndërkaq, për shërbyesit civilë zhvillimi profesional është edhe detyrim ligjor.

Demokracia.com e ka siguruar një e-mail që Luan Dalipi ua kishte dërguar ministrave të Kurtit.

Shefi i stafit të kryeministrit që njihet si linçues i mediave, duke u thirrur në emër të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bislimi, të cilit i referohet si “Profa”, u kishte kërkuar disa ministrave që t’i propozojnë 12 zyrtarë/këshilltarë për ta ndjekur një program online në Universitetin e Harvardit, ku për person duhet të paguhej nga shteti 3800 dollarë.

“Në konfidencë për këtë kohë po të njoftoj që bashkë me Kryeministrin dhe Zëvendëskryeministrin/Profën jemi duke e konsideruar regjistrimin e 12 zyrtarëve/ këshilltarëve në programin ekzekutiv arsimor ONLINE 3-javor (21 shtator-12 tetor, 2021) të universitetit Harvard: “Udhëheqja e dizajnit të zgjuar të politikave: Qasje Multisektoriale ndaj Vendimeve Ekonomike”, u kishte thënë Dalipi, raporton Demokracia.com.

EKSKLUZIVE| Këshilltarët e Kurtit dhe Bislimit bëjnë “gjakderdhje” financiare, ndjekin kurs në Harvard me para të shtetit (Dokument)

Në këtë e-mail, Dalipi kishte treguar se ndjekja e këtij kursi për një person kushton 3,800 dollarë ose 3,213 euro, që gjithsej për 12 pjesëmarrësit e planifikuar kushtonte 38,556 euro.

Pos Dalipit, këtë program e ka ndjekur edhe këshilltarja e Kurtit, Fëllanza Podrimja. Por, anash nuk e kanë lënë as kabinetin e Besnik Bislimit, të ashtuquajturit “Profa”.

Me paratë e taksapaguesve kosovarë, këtë kurs e ka ndjekur edhe shefja e kabinetit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Kaltrina Zeka.

Pjesë e trajnimit kanë qenë edhe Zef Dedaj nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë dhe tri zyrtare të tjera, përkatësisht Blerta Greiçevci, Bulinë Gashi dhe Edona Mekuli, që me paratë e shtetit për tri javë e kanë ndjekur online programin ekzekutiv arsimor të Universitetit të Harvardit “Udhëheqja e dizajnit të zgjuar të politikave Qasje Multisektoriale ndaj Vendimeve Ekonomike”.

Dalipi vlerësonte se mos-pjesëmarrja mund të kushtojë shumë më shumë, në aspekt të kostos-oportune që mund ta kishin nga politikat zhvillimore kushtimisht jo-mjaftueshëm të mira.

Vendimin final se kush do ta ndjek trajnimin, sipas Dalipit, do ta merrte kryeministri Kurti.

E krejt këtë punë e kishte “ndërmjetësuar” një aktivist i Vetëvendosjes në Boston me emrin Faton Limani. Madje, Dalipi as që hezitonte që nëpërmjet e-mailit zyrtar të tregonte se ndërmjetës në këtë çështje është aktivisti i Vetëvendosjes. /Demokracia.com/

Të ngjashme