Lajme
DOKUMENT| Kryeshefi i suspenduar në burg, KEK-u jep rreth 40 mijë euro për angazhim edhe të një kompanie konsulente
Demokracia
11:41 | 18 Maj 2023

Share:

Kryeshefi tashmë i suspenduar i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, ndodhet në paraburgim, pasi u arrestua muajin e kaluar nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim të ndikimit dhe konflikt interesi.

Krasniqi po dyshohet për një tender milionësh në KEK.

Megjithatë, një gjë e tillë nuk po e ndalë KEK-un që të vazhdojë angazhimin e kompanive konsulente dhe konsulentëve privatë për t’i kryer punët që nuk po mund t’i kryejnë vetë, shkruan Demokracia.com.

Siç bëhet e ditur në kontratën e publikuar në KRPP, kjo kompani tashmë ka dhënë kontratë për angazhimin e një kompanie konsulente për rishikim të tatimeve.

Për këtë tender, KEK-u ka dhënë hiq me pak se 39 mijë e 400 euro.

Tenderin për rishikim të tatimeve në KEK e ka fituar kompania “Deloitte Kosova”, shkruan Demokracia.com.

Sipas dosjes së kontratës, kompania konsulente do të bëjë rishikimin mujor të librave të shitjeve dhe blerjeve për Vitet Fiskale 2019, 2020, 2021 dhe 2022, rishikimin mujor të deklaratave të TVSH-së për VF 2019, 2020, 2021 dhe 2022, rishikimin, pajtueshmërinë me TVSH-në në lidhje me transaksionet me jorezidentët për VF 2019, 2020, 2021 dhe 2022. si dhe një rishikim të detajuar të të gjitha transaksioneve për të përcaktuar zbatueshmërinë e saktë të TVSH-së për VF 2019, 2020, 2021 dhe 2022.

Në dosjen e tenderit, po ashtu, bëhet e ditur se konsulenti duhet të ofrojë shërbimin bazuar në informacionet dhe dokumentet e marra nga KEK-u (autoriteti kontraktues ose AK).

“Konsulenti duhet të ofrojë shërbime këshillimore tatimore në baza të rregullta pasi AK mund të ketë nevojë për opinionin e konsulentit në raste të ndryshme. Konsulenti duhet të japë mendimin e tij në lidhje me tatimin mbi të ardhurat e korporatave, si dhe tatimet e mbajtura në burim, taksat indirekte dhe implikimet e detyrimeve doganore, në mënyrë që AK të jetë në gjendje të marrë vendimin e duhur në kohën e duhur dhe të menaxhojë implikimet fiskale, duke identifikuar mundësitë kryesore. Dorëzimi duhet të përbëhet nga një memorandum me aspektet financiare dhe tatimore që dalin nga transaksionet e pritshme. Analiza do të bëhet në përputhje me legjislacionin vendas dhe me një përshkrim të ndikimit të mundshëm që mund të kenë transaksionet për biznesin tonë”, thuhet në dosjen e tenderit.

Ndryshe, Gjykata Supreme, më 17 maj ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Nagip Krasniqi për lirimin e tij.

Supremja e ka vlerësuar si të pabazuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin nga paraburgimi të Krasniqit.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj të pandehurit N.K., të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës. Në çështjen penale ndaj të pandehurit N.K., për shkak të veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi i ndikimit, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikti i interesit, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të pandehurit, avokatët Virtyt Ibrahimaga dhe Taulant Ferizi, në seancën e mbajtur më datë 16.05.2023, kolegji i Gjykatës Supreme vendosi për refuzimin e kësaj kërkese”, thuhet në njoftimin e Supremes. /Demokracia.com/

DOKUMENT| KEK-u s’e ndal dorën, ndan edhe 45 mijë euro për angazhimin e një kompanie konsulente për rishikim të tatimeve

Të ngjashme