Lajme
DOKUMENT| Krahasoi protestuesit me qen, zëdhënësit të LVV-së nuk i miratohet ankesa kundër Demokracia.com
Demokracia
23:32 | 20 Maj 2022

Share:

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës nuk e ka miratuar ankesën e zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ndaj tekstit të publikuar nga Demokracia.com, në lidhje me një krahasim që iu kishte bërë ky i fundit protestuesve me një tufë qensh.

KMSHK përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se Manxhuka kishte pretenduar se Demokracia.com ka shkelur kapitullin II të Kodit të Etikës.

Sidoqoftë, KMSHK pas leximit të ankesës, ka gjetur se kjo është e pabazuar dhe rrjedhimisht nuk e ka miratuar, përcjell Demokracia.com.

“KMShK ka verifikuar publikimin në rrjetin social të ankuesit. KMShK konsideron që nëse atë që ka shkruar ankuesi do ta thoshte ndonjë qytetar i rëndomtë dhe media do të reagonte, atëherë mund të konsiderohej shkelje. Por, kur një mesazh të tillë e jep zëdhënësi i subjektit më të madh politik në vend, i cili ka shumë ndjekës në rrjetin e tij social dhe mund të influencojë njerëz, atëherë nuk mund të konsiderohet shkelje reagimi i medias kundër ankuesit”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, më 8 prill 2022 Demokracia.com kishte publikuar një lajm, pasi Manxhuka kishte krahasuar sindikalistët, që protestuan atë ditë, me disa kafshë.

Ai kishte postuar një fotografi në llogarinë e tij në Instagram ku shiheshin disa qen,  krahas së cilës kishte shkruar “protestë, bllokadë”.

Postimi ishte bërë pikërisht në ditën kur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura te Kosovës (BSPK) ka protestuar në sheshet kryesore të Prishtinës.

Sindikalistët kishin kërkuar nga Kurti rritjen e pagave, zbatimin e Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, si dhe ndryshim-plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale./Demokracia.com/

Skandaloze| Zëdhënësi i LVV-së krahason qytetarët që protestuan me tufën e qenve

Të ngjashme