Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e ka shpallur veten jokompetent për të vendosur për ankesën e grupit të diplomatëve të shkarkuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Ndonëse e ka shqyrtuar këtë ankesë për javë të tëra, këshilli në fund e ka shpallur veten jokompetent për të marrë vendim, shkruan Demokracia.com.
Ky këshill ka hezituar që t’i japë drejtim kësaj çështjeje.
Demokracia.com ka siguruar vendimin që KPMSHCK-ja ka marrë pas ankesës së diplomatëve të shkarkuar.
“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, shpallet jo kompetent për të vendosur lidhur me ankesën A.nr.365/2022 të datës 14.04.2022 e parashtruar nga ankuesit Lulzim Rifaj, Frymëzim Isufaj, Mitat Fejza, Bahrije Hoti, Rrahim Morina, Binak Berisha, Shota Bukoshi, Adnan Dragaj, Enver Bugaj dhe Blerim Canaj”, thuhet në vendimin e siguruar nga Demokracia.com.
Ky këshill i ka bashkuar në një rast të vetëm ankesat e diplomatëve të shkarkuar.
Në kuptim të pranueshmërisë së ankesës, Kolegji iu referua dispozitave të Ligjit Nr.03/L-149 për Shërbim Civil të Republikës së Kosovës i aplikueshëm në kohën e emërimit të ankuesve në shërbim të jashtëm, përkatësisht nenit 3 paragrafi 4, ku përcaktohet se: 4,Personeli diplomatik dhe konsullor, si dhe personeli administrativ i dërguar jashtë vendit ose i punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, është pjesë e Shërbimit Civil të Kosovës dhe i nënshtrohet këtij ligji (dhe legjislacionit përkatës në fuqi, si dhe nenit 8 të Ligjit Nr.03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik me të cilin parashihet: Anëtarët e Shërbimit Diplomatik të Kosovës, përveç të emëruarve politik, janë pjesë e Shërbimit Civil të Kosovës dhe personeli i tij i nënshtrohet të njëjtave paga, kërkesa dhe kushte të punës, përveç nëse parashihet ndryshe me këtë ligj ose me ligje tjera ose akte nënligjore, dhe rrjedhimisht në kuptim të këtyre dispozitave ligjore Kolegji me shumicë votash konstaton se përveç të emëruarave politikë, nëpunësit e shërbimit të jashtëm, përfshirë personelin diplomatik, konsullor dhe personelin administrativ të punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme apo të angazhuar në shërbim të jashtëm, kanë statusin e nëpunësit civil dhe se pranimi i tyre në shërbim të jashtëm duhet të bëhet në pajtim me dispozitat e legjislacionit për shërbim të jashtëm dhe legjislacionit të aplikueshëm për shërbim civil.
“Andaj mbi këtë bazë ligjore, si dhe duke marrë parasysh faktin se ankuesit ishin emëruar në shërbim të jashtëm mbi bazën e vendimeve të Ministrit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, e meqenëse me asnjë provë nuk vërtetohet së të njëjtit kanë themeluar marrëdhënie të punës në shërbim civil përmes nënshkrimit të Aktit të emërimit ashtu siç përcaktohej me nenin 19 paragrafi 1 të Ligjit Nr.03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës me të cilin përcaktohet se: Nëpunësit civilë themelojnë marrëdhënien e punës pas përfundimit me sukses të procedurave të pranimit të përcaktuara me këtë ligj dhe me aktet përkatëse nënligjore dhe pas pranimit të një shkrese të emërimit brenda tridhjetë (30) ditëve pas përfundimit të procedurës nga institucioni kompetent të cilën do të gjejë punë nëpunësi i ri civil. Kolegji duke u bazuar në nenin 6 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 të Ligjit Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ku përcaktohet se Këshilli është kompetent për të shqyrtuar vetëm ankesat e nëpunësve civilë dhe kandidatëve për pranim në Shërbimin Civil, me shumicë votash konstaton se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nuk është kompetent për të vendosur lidhur me ankesën e ankuesve”, thuhet në vendimin e KPMSHCK-së, përcjell Demokracia.com.
Në mesin e muajit mars, 11 zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ishin shkarkuar nga ministrja Donika Gërvalla.
E ndonëse e ka shpallur veten jokompetent për trajtimin e këtij rasti, KPMSHCK-ja në mënyrë selektive e ka shpallur të bazuar ankesën e Lulzim Rifaj. /Demokracia.com/