Lajme
DOKUMENT| Kosova vazhdon masat antidamping për importin e miellit nga Serbia
Demokracia
09:38 | 09 Nëntor 2022

Share:

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka vendosur që ta vazhdojë masën mbrojtëse për prodhuesit vendorë. Për miellin që importohet nga Serbia do të paguhet tarifë prej 0.04 centë. Një masë e tillë ishte marrë edhe në vitin 2017.

“Vazhdohet masa mbrojtëse antidamping dhe masat kundër balancuese në vlerë 0,04 euro cent për importin e miellit nga Serbia”, kështu thuhet në vendimin e fundit që ka marrë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Këtë vendim të datës 27 tetor 2022 që e ka siguruar Demokracia.com thuhet se vendimi për vazhdimin e këtyre masave është bërë pasi është konstatuar se masat e mëhershme kanë dhënë rezultate konkrete.

“Para vendosjes së masës antidamping, për importin e miellit nga Serbia, në vitin 2017 importi i miellit ka qenë më i madh ndërsa pas vendosjes së masës mbrojtëse, në vitin 2018 të dhënat tregojnë për rënie të importit të miellit. Rënia më e madhe e importit të miellit nga Serbia është shënuar në vitin 2019.  Bazuar në analizën e Departamentit të Tregtisë për këto të dhëna, ku vërejmë se efektet e masës janë evidente, si dhe bazuar në rekomandimin e Komisionit për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe për vazhdimin e masës”, thuhet në këtë vendim, përcjell Demokracia.com.

Aty tregohet se në kuadër të kësaj analize janë krahasuar të dhënat e importit të miellit nga Serbia në tregun e Kosovës, të cilat tregojnë që ka rënie të importit të miellit.

“Në kuadër të Departamentit të Tregtisë, respektivisht Komisioni për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, i cili me datën 20.10.2022 ka mbajt takimin lidhur me Analizën e rivlerësimit të masës mbrojtëse antidamping mbi sektorin e prodhimit të miellit në Kosovë dhe importin nga Serbia. Në kuadër të kësaj analize janë krahasuar të dhënat e importit të miellit nga Serbia në tregun e Kosovës të cilat tregojnë që ka rënie të importit në periudhën e viteve 2017-2022”.

Ministra e Tregtisë që drejtohet nga Rozeta Hajdari ka treguar se vendimi për këto masa hyn në fuqi menjëherë.

“Ky vendim hyn në fuqi ditën e nënshkrimit. Ky vendim është akt përfundimtar në procedurën administrative. Pala e pakënaqur mund të nisë konflikt administrativ në gjykatën kompetente”.

Sipas statistikave, Kosova më së shumti importon grurë nga Serbia, shkruan Demokracia.com.

Në vetëm dy muajt e parë të këtij viti, vendi ka importuar grurë nga Serbia në vlerë gati 2 milionë euro, që i bie se rreth 82 për qind e importit është realizuar vetëm nga ky shtet.

Importi i grurit nga Serbia ka qenë në vlera milionëshe edhe gjatë dy viteve të fundit. Në vitin 2020, vlera e importit ka qenë rreth 15 milionë euro, derisa në vitin 2021 ka qenë gati 23 milionë euro.

Shprehur në përqindje, gjatë vitit 2021, rreth 85 për qind e importit të grurit ka qenë nga Serbia. Kurse, gjatë vitit 2020, ka qenë rreth 56 për qind. Të tjera vende prej të cilave Kosova ka blerë grurë këtë vit janë edhe Kroacia, Hungaria, Maqedonia e Veriut. Më herët, importin e grurit, vendi e ka bërë edhe nga shtete, si Turqia, Italia, Austria, Rusia, Gjermania, Bullgaria, Ukraina dhe Holanda. /Demokracia.com/

Të ngjashme