Lajme
DOKUMENT: Konsulli i shkarkuar nga Vjosa Osmani e fiton rastin në gjykatë
Demokracia
18:02 | 17 Tetor 2023

Share:

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka rrëzuar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe e ka kthyer në rivendosje rastin e Lindon Kqirës, ish-Konsull i  Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Kqira ishte shkarkuar nga pozita e konsullit nga presidentja Vjosa Osmani, atëherë ish-ushtruese e detyrës së presidentit.

Demokracia.com ka siguruar vendimin e Gjykatës Themelore në të cilin thuhet se “I aprovohet si e bazuar kërkesë-padia e paditësit Lindon Kqira nga Prishtina e paraqitur kundër të paditurës, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës”.

Me këtë vendim, gjykata anulon vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës dhe çështja i kthehet të paditurës në rishqyrtim dhe rivendosje.

“Detyrohet e paditura që në procedurë të rivendosjes të udhëzojë palët paditëse se në cilin organ institucional të drejtohen në lidhje me realizimin e të drejtës së tyre në afat prej 30 ditësh nga data e pranimit të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e siguruar nga Demokracia.com.

Tri vite më parë, ditën që ishte shkarkuar Lindon Kqira, ai pati thënë se nuk e njeh vendimin arbitrar dhe politik të Osmanit.

Përmes një postimi në Facebook, Kqira në atë kohë kishte thënë se ky vendim në radhë të parë është tendencioz, arbitrar, vendim politik dhe përçarës e mbi të gjitha është antikushtetues dhe i pa precedent në diplomacinë e Kosovës.

“Vendimi i Ushtrueses se Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës për shkarkimin tim, për mendimin tim është nxjerrë në kundërshtim me nenin 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ngase znj, Osmani këtë vendim e ka marrë pa konsultim paraprak me MPJD dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës. Në këto rrethana, kushdo që bënë përpjekje me zbatuar këtë vendim të njëanshëm, përfshihet në shkelje Kushtetuese”, pati shkruar Kqira. /Demokracia.com/

Të ngjashme