Lajme
DOKUMENT | Konjufca kërkon nga Kurti që t’ua rimbursojë pagat deputetëve për muajin shkurt dhe mars
Demokracia
20:27 | 07 Prill 2023

Share:

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet financiare që të rimbursohen ndalesat që u janë bërë deputetëve, stafit politik të Kuvendit dhe nëpunësve civilë në pagat e muajit shkurt dhe mars.

Në vendimin e siguruar nga Demokracia.com, potencohet se me pagat e prillit kategoritë e përmendura të përfitojnë pagën e re dhe shtesën tranzitore të barabartë me diferencën ndërmjet pagës bruto mujore dhe pagës së re bazë.

“Deputeti i Kuvendit, Stafi mbështetës politik i Kuvendit dhe nëpunësi aktual i Administratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, nëse para hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 08/L-196 për pagat në sektorin publik, ka përfituar pagën bruto mujore më të madhe se paga e plotë e parashikuar me ligj, përfiton pagën e re dhe shtesën tranzitore të barabartë me diferencën ndërmjet pagës bruto mujore dhe pagës së re bazë, për periudhën e parashikuar në nenin 41, paragrafi 2 të Ligjit nr. 08/L-196 për pagat në sektorin publik”, thuhet në vendimin e kryesisë së Kuvendit.

“Kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës – Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Thesari i Kosovës që ekzekutimi i pagave për muajin prill 2023, te bëhet në pajtim me pikën 1 të këtij vendimi, si dhe të bëhet rimburesimi për ndalesat e bëra në pagën e muajit shkurt dhe mars 2023”, përfundon vendimi i Kuvendit, shkruan Demokracia.com.

Në nenin 41 të Ligjit për Paga, ekziston një dispozitë me emrin Shtesat Tranzitore, e cila synon që të barazojë pagën me koeficient të ri me atë që merrej me ligjin paraprak.

Në këtë nen, precizohet se “nëse një zyrtar publik apo funksionar publik, para hyrjes në fuqi të këtij ligji përfitonte pagë që është më e madhe se paga e plotë e parashikuar me këtë ligj, ai/ajo do të përfitojë pagën e re sipas këtij ligji dhe një shtesë “tranzitore” të barabartë me diferencën ndërmjet pagës aktuale dhe pagës së re bazë”.

Për vitin e dytë, kjo shtesë është përcaktuar 50%, sepse sipas premtimit të Qeverisë, koeficienti i pagës do të rritet nga 105 në 110. /Demokracia.com/

Të ngjashme