Lajme
DOKUMENT| Komunat i kishin reaguar me kohë Qeverisë kundër rritjes së tatimit në pronë
Demokracia
19:03 | 24 Janar 2023

Share:

Drejtori për Buxhet dhe Financa, në Komunën e Kaçanikut, Bahri Selimi ka publikuar një dokument ku kjo komunë kishte reaguar ndaj Ministrisë së Financave për tatimin në pronë.

Selimi në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se komuna e Kaçanikut me kohë ka reaguar për vlerësimin jo real nga Ministria e Financave të vlerës së objekteve dhe parcelave për tatimin në pronë.

Në shkresën e publikuar të datë 9 nëntor, Komuna e Kaçanikut ishte shprehur e pakënaqur me vlerësimin e Ministrisë së Financave dhe aty kishin shprehur shqetësimet dhe vërejtjet e tyre.

Kjo Komunë kishte thënë se vlerësimi është jo real pasi që çmimet brenda një zone kanë diferencë të madhe e që kontrata e shitblerjeve dhe shitjet e ndodhura kanë të bëjnë me pjesët më të shtrenjta brenda zonës, është dashur të merret një çmim mesatar e jo më i larti pasi ky është vlerësim masiv.

Ndryshe Ministria e Financave sot me anë të një reagimi publik, është shprehur se shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.

“Bazuar në Ligjin për Tatim në Pronë, obligohet që në baza të rregullta të bëjë vlerësimin e pronave të paluajtshme, ndërsa shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat”, thuhet në arsyetimin e MF-së.

Mirëpo, një arsyetim i tillë nuk është pranuar nga AKK-ja, duke thënë se kjo rritje nuk vjen nga komunat.

Sipas tyre, vlera e pronës për metër katror përcaktohet nga MF-ja, përkatësisht Departamenti i Tatimit në Pronë, ndërsa norma tatimore përcaktohet nga komunat.

“Komunat nuk e kanë ngritur normën tatimore por është bërë rivlerësimi i pronave nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar edhe në çmimet e tregut. Pra, çmimi i faturës së tatimit në pronë llogaritet me shumëzimin e vlerës së pronës me normën tatimore. Kështu, me rritjen e çmimit të pronave (pa u rritur fare norma tatimore nga komunat) është rritur automatikisht vlera e faturës së Tatimit në Pronë”, theksohet në reagimin e AKK-së.

Të ngjashme