Komuna e Vitisë ka njoftuar se ka nënshkruar kontratë për furnizim me pemë dhe perime. Megjithatë, komuna e ka tejkaluar vlerën e parashikuar të buxhetit prej më shumë se 3 mijë euro.
Siç bëhet e ditur në KRPP, tenderin për furnizim me pemë dhe perime e ka fituar kompania “BRAHIM ZEQIRI B.I”.
Komuna e Vitisë në kontratën për furnizim me pemë dhe perime e ka parashikuar vlerën prej 8 mijë e 470 euro, megjithatë vlera e parashikuar e kontratës është tejkaluar prej mbi 3 mijë euro.
Kompania “BRAHIM ZEQIRI B.I” e ka fituar tenderin me çmim prej 11 mijë e 558 euro.
Demokracia.com ka kontaktuar edhe me Komunën e Vitisë, për ta pyetur se pse është tejkaluar vlera e parashikuar e kontratës.
Sa i përket vlerës së tejkaluar nga Zyra e Prokurimit në Komunën e Vitisë kanë thënë për Demokracia.com se nuk kanë pasur mundësi tjetër pasi ka qenë vetëm një operues, duke thënë se “kontrata ka qenë me urgjencë pasi kopshti i fëmijëve ka mbetur pa furnizime me pemë dhe perime”.
Tenderi për furnizim me pemë dhe perime është për çerdhen “Gëzimi Ynë” në Viti.
“Laker 750 kilogramë, karrota 180 kilogramë, speca pa djegës 200 kilogramë, bizele 40 kilogramë, qepe 250 kilogramë, banane 1200 kilogramë, molla 1000 kilogramë, domate 400 kilogramë, patate 450 kilogramë, mandarina 280 kilogramë, tranguj 280 kilogramë, dredhëza 180 kilogramë, ananas 20 kilogramë, qershi 50 kilogramë, fasule 450 kilogramë, shegë 40 kilogramë, marulla 40 kilogramë, portokall 120 kilogramë, dardha 650 kilogramë, ftonje 15 kilogramë, rrush 50 kilogramë, magdanoz 10 kilogramë, speca dollma-pa djeges 50 kilogramë, domate të zeza 25 kilogramë, nektarina 250 kilogramë, pjeshka 150 kilogramë, kivi 20 kilogramë, bostan 50 kilogramë, pjepen 30 kilogramë”, thuhet në dosjen e tenderit. /Demokracia.com/