Lajme
DOKUMENT | Komuna e Shtimes hap tender 200 mijë euro për kositje të barit, dyshohet për vendosje të kundërligjshme të kritereve
Demokracia
21:34 | 21 Mars 2024

Share:

Fiks 200,000.00 euro ka paraparë të shpenzojë Komuna e “çlirimtarit” në Shtime gjatë kësaj vere dhe verës së ardhshme në kositjen e barit dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike, shkruan Demokracia.com.

“Mirëmbajtja verore (kositjes së barit) – Mirëmbajtja e parqeve dhe hapësirave të gjelbëruara –  Mirëmbajtja dhe pastrimi i qytetit”. Kështu quhet tenderi i hapur nga Komuna e Shtimes para pak ditëve.

Bazuar në paramasën e publikuar në e-prokurim, Komuna e Shtimes te kjo procedurë tenderuese ka planifikuar të shpenzojë 200 mijë euro për 24 muaj për mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave të qytetit gjatë periudhës verore. Shuma përfshin kositjen e barit, mirëmbajtjen e parqeve dhe hapësirave gjelbërta, si dhe pastrimin e qytetit.

Bazuar në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë, dyshimet e para janë se disa nga kriteret mund t’i janë përshtatur një kompanie të caktuar.

Njoftimin për Kontratë, tek kërkesat në lidhje me kapacitetin teknik dhe profesional, Komuna e Shtimes ka kërkuar çështje specifike: Kërkesa 4. Operatori ekonomik duhet të prezantojë stafin e nevojshëm që do të angazhohet në këtë projekt min. 10 punëtorë për kryerjen e këtyre shërbimeve. A) Kompania në kuadër të stafit duhet të emërojë menaxherin e projektit, i cili duhet të jetë inxhinier, master apo bachelor i diplomuar i ndërtimtarisë, drejtimi hidroteknike, së paku 5 vite përvojë pune pas diplomimit, i njëjti të jetë i certifikuar për menaxhime të projekteve. B) Min 1 Gjeodet Master apo bachelor i diplomuar, min 5 vite përvojë pune, i licencuar. C). Min 2 punëtorë të certifikuar për mirëmbajtjen e hapësirave publike.

Tek vendosja e disa prej këtyre kërkesave, Komuna e Shtimes mund të ketë vepruar në kundërshtim me Ligjin Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, nenin 7, paragrafin 3 dhe 5.

Sipas Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik, Neni 7, paragrafi 3, thuhet se “autoritetit kontraktues i ndalohet përcaktimi i nevojave të veta që duhet të përmbushen në mënyrë specifike dhe përcaktimi i kritereve të prokurimit që favorizojnë ose diskriminojnë operatorët ekonomikë”. Në këtë rast, kërkesa specifike për OE (Operatorin Ekonomik) për prezantimin e stafit të projektit, duke përfshirë kriteret e njëjta dhe periudhën e përvojës së punës, ku bie ndesh me paragrafin 3, duke përcaktuar në mënyrë të prerë nevojat dhe kriteret e prokurimit.

Për më tepër, në paragrafin 5 të të njëjtit nen, thuhet se autoriteti kontraktues ndalohet nga kërkesa për punësim specifik ose ndalimi i punësimit të një personi ose ndërmarrjeje të veçantë për ekzekutimin e një kontrate publike. Kërkesa specifike për një numër të caktuar të punëtorëve, duke përcaktuar në mënyrë të prerë cilësitë dhe numrin e tyre, andaj siç shihet është shkelur ky paragraf duke u përpjekur të kufizojë lirinë e operatorëve ekonomikë për të zgjedhur personelin e tyre për ekzekutimin e kontratës publike.

Pra, bazuar në Ligjin Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik, disa pika në Njoftimin për Kontratë mund të jenë në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji:

  • Numri i Përcaktuar i Punëtorëve (10 punëtorë): Ligji nuk e lejon autoritetin kontraktues të përcaktojë numrin e saktë të punëtorëve që duhet të përdoret nga operatori ekonomik për ekzekutimin e një kontrate publike. Kjo mund të shkaktojë diskriminim ndaj operatorëve të tjerë ekonomikë që mund të ofrojnë shërbime të një cilësie të barabartë, por me një numër të ndryshëm të punëtorëve. Pra, duhet të ketë devijim të numrit, p.sh 9 deri në 12, ose 10 deri në 14.
  • Specifikimet e Personelit (Menaxheri i Projektit dhe Gjeodeti): Ligji nuk lejon përcaktimin e specifikimeve të detajuara për personelin në mënyrë që të favorizohet ose diskriminohet ndaj një grupi të caktuar profesionistësh. Kërkesat specifike për shkollim, përvojë dhe certifikime mund të kufizojnë konkurrencën dhe lirinë e operatorëve ekonomikë për të propozuar personelin e tyre në përputhje me nevojat e projektit.
  • Kërkesa për Certifikim të Puntorëve për Mirëmbajtjen e Hapësirave Publike: Kërkesa për të paktën 2 punëtorë të certifikuar për mirëmbajtjen e hapësirave publike mund të jetë e kufizuar dhe diskriminuese nëse nuk është e nevojshme për kryerjen e projektit dhe mund të pengojë pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë që mund të kenë ndryshime të certifikatave për personelin e tyre.

Nga ana tjetër, shifra prej 200 mijë euro për dy sezone verore që ka vendosur Komuna e Shtimes për kryerjen e këtyre punëve duket të jetë shumë e fryrë.

Për të shmangur shkeljen e ligjit dhe për të siguruar një proces të hapur dhe të drejtë të prokurimit publik, Komuna e Shtimes duhet të rivlerësojë dhe ndryshojë kriteret dhe kërkesat e përcaktuara në procedurën e saj të prokurimit. /Demokracia.com/

Të ngjashme