Lajme
DOKUMENT | Komuna e Podujevës ia përshtati konkursin militantes së Vetëvendosjes, e punësoi si konsulente për bujqësi organike
Demokracia
20:36 | 13 Shkurt 2024

Share:

Komuna e Podujevës, e cila udhëhiqet nga kryetari Shpejtim Bulliqi, ia ka përshtatur kriteret e një tenderi një militanteje të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Demokracia.com.

Komuna e Podujevës nuk njihet si vend i bujqësisë në Kosovë. Por, kjo komunë po konsideron se i duhen konsulentë bujqësorë. “Shërbime konsulente për bujqësi organike”, kështu quhet pozita e shpikur nga Komuna e Podujevës për të cilën është hapur thirrje për punësimin e një personi përmes procedurave të prokurimit publik.

Nëpërmjet procedurave të prokurimit publik dhe jo sipas Ligjit për Shërbimin Civil, fituese e tenderit ka dalë kandidatja e vetme në garë, Bleona Musolli.

Sipas publikimeve të saj në rrjetin social Facebook, ajo është një militante e partisë në pushtet në Podujevë, Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një vlerë prej 6,480.00 euro në vit, ajo do të lidh kontratë sot më Podujevën.

Por, bazuar në kërkesat e dosjes së tenderit, shihet se kriteret bazë i janë përshtatur tërësisht shkollimit dhe përvojës së saj.

“Kërkesat për Një (1) Konsulent individual – për bujqësi organike. Të ketë së paku 5 vite të studimeve Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë të kenë së paku 6 muaj përvojë pune në fushën përkatëse”, thuhet tek kërkesat profesionale për këtë pozitë, përcjell Demokracia.com.

Demokracia.com ka gjetur se ajo e ka kryer praktikën 6-mujore, të cilën e ka përfunduar para pak ditëve tek Ministria e Bujqësisë që drejtohet nga Faton Peci.

Deri sa është kërkuar që garuesi të ketë së paku 5 vite të studimeve te Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, mësohet se kandidatja e pranuar ka përfunduar studimet e nivelit master më 10 janar 2023, që bëjnë fiks pesë vite studime, 3+2. Kurse, tenderi është hapur më 23 janar 2023. /Demokracia.com/

Të ngjashme