Lajme
DOKUMENT| Komuna e drejtuar nga Kadri Rahimaj blen mbi 5 mijë euro aromatizues me taksat e qytetarëve
Demokracia
16:01 | 06 Maj 2022

Share:

Përkundër që propaganduan se kur ta marrin pushtetin do të kursejnë në gjëra luksi, në praktikë pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje po tregohet dorëlirë me paratë e qytetarëve. Në objektet e Komunës së Kamenicës që drejtohet nga Kadri Rahimaj i Vetëvendosjes, tani e pas aroma mund të jetë e këndshme. Për të aromatizuar këto objekte, Komuna e Kamenicës ka vendosur të shpenzojë mbi 5 mijë euro.

Në tenderin e shpallur, të cilin e ka parë Demokracia.com, Komuna e Kamenicës, për 19 aromatizues-parfume, që do të vendosen në disa objekte tjera nën menaxhimin e komunës, do të paguaj hiç më pak se 5 mijë e 4 euro.

Përveç objektit të Komunës, aromatizuesit do të vendosën edhe në QKMF në Kamenicë, ambulancat e fshatit Hogosht dhe Rogaçicë.

Tenderin për aromatizuesit e ka fituar kompania nga Gjilani “Monuni SHPK”, derisa sipas përshkrimit të tenderit, do të jenë 10 aromatizues për 50 metra katrorë, dy për hapësirë mbuluese 300 metra katrorë dhe shtatë të tjerë për 500 metra katrorë hapësirë mbuluese.

Tenderi është me afat njëvjeçar, kurse kontrata është nënshkruar më 26 prill të këtij viti.

Sipas të dhënave që i jep ARBK-ja, kompania fituese e tenderit për aromatizues, “Monuni SHPK”, aktivitet primar e ka veterinarinë, sekondar përpunimin e produkteve tjera, kurse prodhimi i parfumeve dhe preparateve të tualetit hynë në kategorinë “tjera”. Pronar i kësaj kompanie, sipas ARBK-së, është Zijah Idrizi.

Deputetët e Vetëvendosjes për t’u paraqitur para qytetarëve sa më kursimtar dhe të kujdesshëm më buxhetin e shtetit, kishin filluar të pinin ujë të çezmës në Kuvendin e Kosovës, e që kjo nga shumëkush u pa si hipokrizi.

Mirëpo, më vonë dolën shpenzimet e deputetëve për udhëtime jashtë Prishtinës, që kishte deputetë të kësaj partie që kishin përfituar mijëra euro duke “mashtrua” administratën e Kuvendit për largësinë e banimit. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme
Lajme • 17 Maj 2024