Lajme
DOKUMENT| Kjo është kërkesa e opozitës me 40 nënshkrime për “llupën” parlamentare për energjinë, ja çfarë pritet të hetohet
Demokracia
21:25 | 03 Maj 2022

Share:

Opozita në Kosovë, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, nuk po heqin dorë nga hetimi parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

40 deputetë të partive opozitare i kanë dhanë nënshkrimet për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja po kërkojnë që ky komision të themelohet ose në të kundërtën do t’i bojkotojnë seancat e Kuvendit të Kosovës, përcjell Demokracia.com.

Por, duke tentuar ta parandalojë krijimin e këtij komisioni, partia e shumicës parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje, po kërkon që komisioni të themelohet për të hetuar menaxhimin e energjisë që nga viti 2006, ndonëse kjo kërkesë është e kundërligjshme, pasi që kjo legjislaturë ka kompetencë të mbikëqyrë vetëm punën e Qeverisë që vetë ka zgjedhur.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në kërkesën për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për sektorin e energjisë do t’i përfshijnë edhe pikat që janë të propozuara nga opozita.

Demokracia.com ka siguruar kërkesën e plotë të opozitës me 40 nënshkrimet për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.

Në kërkesën e opozitës thuhet se fushëveprimi i punës hetimore të Komisionit të propozuar është në pajtim të plotë me nenin 2 “Fusha e veprimit” të Ligjit për Hetim Parlamentar dhe punën hetimore të tij, si dhe do të përfshijë dhe do të kufizohet në ndriçimin e fakteve, konstatimin dhe përshkrimin e rrjedhës së ngjarjeve me qëllim të qartësimit të asaj se çfarë ka ndodhur nga vendimet, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë, si dhe institucioneve të tjera që kanë përgjegjësi në fushën e energjisë, si Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), etj., në mënyrë që nga njëra anë të evidentohen ndikimet negative në sektorin e energjisë si pasojë e menaxhimit përkatës të krizës energjetike dhe nga ana tjetër, të ushtrohet kontrolli efektiv dhe mbikëqyrja parlamentare e këtyre institucioneve.

“Ne, deputetët parashtrues të kësaj kërkese, me qëllim të ushtrimit të mandatit tonë kushtetues parlamentar, theksojmë nevojën e madhe të zhvillimit të këtij hetimi, veçanërisht kur kihet parasysh fakti që kriza energjetike dhe mënyra e menaxhimit të saj nga Qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse, ka shkaktuar pasoja të mëdha ekonomike, përfshirë edhe reduktimet e energjisë elektrike dhe shtrenjtimin e saj në nivele të papërballueshme për qytetarët”, thuhet në kërkesën e opozitës, të cilën e ka siguruar Demokracia.com.

Opozita ka theksuar se edhe në seancat parlamentare i kanë paraqitur shqetësimet e tyre.

“Gjithashtu, edhe në disa seanca plenare dhe të jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kemi ngritur shqetësimet për krizën energjetike para, gjatë dhe pas ngritjes enorme të çmimeve të energjisë elektrike, vendosjes së reduktimeve në furnizim me energji elektrike dhe kufizimeve të tjera të cilat drejtpërsëdrejti kanë varfëruar subjektet e ekonomisë, si dhe i kanë shkaktuar humbje të mëdha financiare buxhetit të vendit, qoftë duke importuar energji elektrike me çmime shumë të larta, qoftë duke subvencionuar sektorin e energjisë me vendime qeveritare”, thuhet në kërkesë, raporton Demokracia.com.

PDK dhe AAK thonë se vendimet, veprimet dhe mosveprimet e kësaj qeverie dhe institucioneve që kanë përgjegjësi menaxhimi në sektorin e energjisë, është e domosdoshme që t’i nënshtrohen një hetimi parlamentar, për t’u informuar dhe për të kuptuar saktë dhe drejtë nivelin e menaxhimit institucional të krizës së energjisë elektrike dhe për të ofruar një raport përmbledhës dhe profesional me qëllim të përshkrimit të gjetjeve dhe dhënies edhe të rekomandimeve eventuale lidhur me përmirësimin e nevojshëm.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes themelimit të këtij komisioni hetimor do të ushtronte përgjegjësinë kushtetuese për të zhvilluar një hetim të mirëfilltë me qëllim të qartësimit dhe analizimit konkret të masave, vendimeve, veprimeve dhe mosveprimeve, të cilat e kanë karakterizuar menaxhimin e krizës energjetike në mënyrë që të hedhet dritë mbi të vërtetat e panjohura për qytetarët e Kosovës lidhur me disa nga pyetjet kyçe”, thuhet tutje në këtë kërkesë të siguruar nga Demokracia.com.

Ndër të tjera, opozita kosovare kërkon që me këtë komision t’u jepet përgjigje edhe këtyre pyetjeve:

– Cilat janë vendimet dhe veprimet e Qeverisë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2021, kur edhe në nivel evropian u paralajmërua kriza energjetike dhe u shënuan rritjet e çmimeve të energjisë elektrike?

– Cilat ishin kontratat ekzistuese për blerje dhe transmetim të energjisë gjatë vitit 2021 dhe cilat ishin mundësitë për kontraktim të energjisë elektrike me çmim sa më të arsyeshëm para se shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike të ndodh në tremujorin e katërt të vitit 2021 në Republikën e Kosovës?

– Cilat ishin vendimet dhe veprimet e Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse të fushës së energjisë për të reduktuar humbjet dhe shpërdorimet e energjisë elektrike?

– Cilat ishin efektet dhe pasojat e shpalljes së gjendjes emergjente në fushën e energjisë?

– Cilat ishin vendimet e Qeverisë për subvencionimin e energjisë elektrike, cila ishte shuma financiare e tyre, si u menaxhuan dhe ku përfunduan këto mjete financiare?

– Sa ishte shuma financiare për blerjen, përkatësisht sigurimin e energjisë elektrike përmes importit, sa ishin kërkesat për energji elektrike dhe sa ishin kapacitetet vendore për prodhimin dhe sigurimin e saj?

– Sa ishin investimet e Qeverisë në mirëmbajtjen e kapaciteteve vendore për prodhimin e energjisë elektrike dhe zgjerimin e tyre?

– Cila ishte metodologjia mbi bazën e të cilës u vendosën tarifat e reja të energjisë elektrike dhe cili ishte roli i Qeverisë në këtë vendimmarrje?

Po ashtu, ky komision do të zhvillojë hetimin parlamentar edhe për procedurat e rekrutimit në konkurset për pranimin e punëtorëve nga periudha e tremujorit të katërt të vitit 2021, e deri në themelimin e këtij komisioni, për të vlerësuar nëse menaxhimi ishte në nivel të zbatimit të ligjit edhe sa i përket kësaj fushe të përgjegjësisë së menaxhmentit të KEK-ut dhe institucioneve të përfshira.

Këto dhe shumë pyetje të tjera, pa paragjykim, Komisioni Hetimor Parlamentar do t’i shtrojë dhe do t’ju japë përgjigje shumë dilemave dhe të panjohurave që lidhen me menaxhimin e krizës energjetike dhe të nxjerrë një raport përfundimtar, profesional, të bazuar në fakte e në prova dhe do t’ia paraqes Kuvendit të njëjtin për miratim.

 

“Prandaj, duke marrë për bazë brengat dhe shqetësimet e ekspertëve të fushës, të shoqërisë civile dhe veçanërisht të qytetarëve në raport me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe aspekteve të tjera që lidhen me menaxhimin e sektorit të energjisë, zhvillimi i hetimit parlamentar është rast edhe më i mirë që të sqarohet i gjithë ky proces menaxhimi, në interes të shoqërisë tonë dhe të vërtetës për të cilën ne angazhohemi.

Andaj, duke e vlerësuar të domosdoshëm themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e menaxhimit të krizës energjetike, nga periudha e tremujorit të fundit të vitit 2021 e deri në kohën e themelimit të tij, konsiderojmë se cilido përfundim i nxjerrë nga ky Komision, do të shërbejë jo vetëm për të identifikuar sfidat me të cilat janë përballur institucionet përgjegjëse si dhe lëshimet apo parregullsitë eventuale që kanë ndodhur, por edhe do të shërbejë pozitivisht edhe për orientimin e procesit të ardhshëm të hartimit të strategjisë sektoriale, përfshirë edhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, por edhe përmirësimin e praktikave të menaxhimit të resurseve energjetike”, thuhet në kërkesë, raporton Demokracia.com.

Komisioni në punën e tij hetimore do të përfshijë, por nuk do të kufizohet në bashkëpunimin me cilindo person privat apo publik, institucion apo organizatë, të cilët sipas vlerësimit të tyre, do të ndihmojnë në sigurimin e të dhënave, të provave apo sqarimeve relevante që i përgjigjen qëllimit për të cilën Komisioni është themeluar dhe të arrijë në një përfundim të caktuar në pajtim me legjislacionin në fuqi.

PDK, LDK e AAK kanë propozuar që Komisioni Hetimor Parlamentar në përbërjen e tij të këtë njëmbëdhjetë anëtarë.

Mandati i këtij komisioni parashihet të jetë gjashtë muaj, nga dita e themelimit të tij nga Kuvendi i Kosovës./Demokracia.com/

 

 

 

Të ngjashme